Jeta e Elsa Lilës në Itali/ Nga ndarja me babain e vajzës së saj, tek braktisja e muzikës dhe përfshirja në grupin kriminal

Ditën e sotme Elsa Lila pushtoi faqet e para të mediave italiane, ato faqe, të cilat në karrierën e saj si këngëtare, nuk mundi t’i prekte kurrë. Këngëtarja shqiptare është arrestuar në Romë, në kuadër të një operacioni të madh droge.

Por kush është Elsa Lila, ‘ylli premtues shqiptar, që në Itali, vendosi të tërhiqej nga muzika. Elsa Lila ishte ende adoleshente teksa u ngjit në skenë në 1996 dhe fitoi Festivalin e RTSH. Që atëherë karriera e këngëtares shqiptare ka njohur disa kthesa. Suksesin që kishte në Shqipëri, Elsa kërkoi ta ndiqte edhe në Itali, ku për herë të parë preku skenën e madhe të Sanremos me këngën “Valeria”. Që atëherë jeta e artistes ka vijuar në Romë, ku dhe ka familjen e saj. Elsa është nënë e një vajze 10 vjeçare të quajtur Evita. Por duket se ajo është një nënë beqare, pas ndarjes nga partneri i saj, për të cilin dihet pak në mediat shqiptare dhe italiane. Rreth 10 vite më parë në media u publikua lajmi se artisja ishte bërë nënë për herë të parë, por për partnerin e saj nuk dihej asgjë.

Që nga ajo ditë deri më sot, asgjë nuk është mundur të mësohet për identitetin e babait të vajzës së saj. Por Panorama Plus ka mundur të mësoje se lidhja e këngëtares shqiptare dhe babait të vajzës së saj ka përfunduar kohë më parë. Si nënë e vetme, Elsa ka vijuar të ecë përpara, duke mbyllur kështu historinë e dashurisë me mashkullin misterioz e të vijojë jetën mes Tiranës dhe Romës, bashkë me Evitën. Herë pas here ajo është rikthyer për publikun shqiptarë, duke marrë pjesë në projekte të ndryshme. Kujtojmë këtu vite më parë prezantimin e Festivalit të RTSH, ku moderoi për 3 net. Në atë kohë për mediat u cilësua si rikthimi i madh i saj, por menjëherë pas spektaklit, ajo u rikthye përsëri në Itali, me sytë nga fama ndërkombëtare.

Në 2014, këngëtarja shqiptare ishte pjesë e jurisë së “The Voice”, duke zgjedhur talentet e reja në muzikë. Në atë kohë, këngëtarja u shpreh se do të rikthehej në vendlindje, për të kërkuar edhe njëherë suksesin në muzikë. “Siç është edhe publikuar tashmë lajmi, unë këtë vit do të jem pjesë e trajnerëve të “The Voice of Albania”, që sigurisht nuk zgjat dhjetë ditë. Jam shumë e lumtur që këta tre muaj dimri do t’i kaloj pranë artistëve të rinj, në një udhëtim muzikor, ku unë së bashku me ta do të eksplorojmë zhanre, stile e teknika, në një atmosferë që vetëm muzika e krijon”, u shpreh Elsa në atë kohë. Ajo shprehej se së bashku me të do të jetë edhe e bija, Evita, të cilën do ta regjistrojë në një kopsht në Tiranë. “Ajo do të frekuentojë një nga kopshtet e Tiranës dhe jam shumë krenare për këtë. Do të ketë mundësinë të praktikojë akoma më mirë gjuhën shqipe duke luajtur me fëmijët”, shprehet ajo.

Por duket se pas pjesëmarrjes për 3 muaj, ajo sërish është rikthyer në Romë, për të vijuar me jetën e saj. Herë pas here Elsën e kemi parë në Tiranë, në shoqërinë e dajës së saj, avokatit të mirënjohur, Sajmir Vishaj. Ka qenë ai që ka publikuar foto të mbesës së tij, nga vizitat e shkurtra që ajo dhe e bija ka bërë në kryeqytetit. Nëpërmjet këtyre fotove, kemi mundur të shohim edhe më shpesh Elsë, duke qenë se në rrjetet sociale ajo është shumë e rezervuar, duke pasur një faqe të vogël në Instagram, me pak miq dhe me pak postime Ndryshe nga skena shqiptare, që e deshi dhe e mirëpriste sa herë që vinte, skena italiane nuk i dha të njëjtën shije. Pas dy viteve në Sanremo, karriera muzikore e Elsës në shtetin fqinj, mbeti me aq, duke mos çarë më në tregun ndërkombëtar.

Kjo duket se e ka shtyrë artisten që të angazhohet në një tjetër profesion. Prej kohësh ajo punonte në lokalin ku dhe ushtrohej aktiviteti kriminal. Nga mediat italiane bëhet me dije se Elsa ishte në ngarkim të financave të lokalit, ku ushtroheshin edhe lojërat e fatit. Tashmë këngëtarja 40-vjeçare është e arrestuar nga policia italiane si e përfshirë në grupin kriminal.