Jep dorëheqjen folësi më i paguar i lajmeve në BBC

Folësi i lajmeve në BBC, Hugh Edwards, ka dhënë dorëheqjen nëntë muaj pasi emri i tij u përfshi në një skandal.

Sipas një njoftimi të BBC-së, “pas 40 vitesh karrierë, Hugh shpjegoi se vendimi i tij ishte marrë në bazë të këshillave mjekësore”. BBC tha se e pranoi dorëheqjen, pa dhënë komente të mëtejshme.

Gazetari 62-vjeçar u akuzua korrikun e kaluar se i kishte paguar një 17-vjeçari mbi 35,000 £ për t’i dërguar atij fotografi të pahijshme. Në një letër drejtuar BBC-së, nëpërmjet avokatëve të tij, adoleshenti tha se asgjë e papërshtatshme apo e paligjshme nuk kishte ndodhur, ndryshe nga ç’pretendonin familjarë të tij.

Në ditët pas publikimit të historisë për herë të parë, në rrjetet sociale pati spekulime intensive për identitetin e “prezantuesit anonim”. Gruaja e Edwards, Vicky Flint, më vonë konfirmoi se ai është njeriu në qendër të akuzave. Ajo tha në një deklaratë që lëshoi në atë kohë se moderatori “vuajti nga probleme serioze të shëndetit mendor dhe po merrte trajtim spitalor”.

Edwards ishte një nga prezantuesit më të paguar të lajmeve të BBC-së dhe një nga më të njohurit në Britani. Për më shumë se 20 vjet ai prezantoi lajmet e mbrëmjes në orën 9. Ishte ai që i njoftoi kombit vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth në vitin 2022, duke mbuluar gjithashtu disa nga ngjarjet më të rëndësishme të viteve të fundit, duke përfshirë zgjedhjet, dasmat mbretërore dhe Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Londrës në 2012. Ai ishte gjithashtu prezantues i kurorëzimit të mbretit Charles në maj 2023.

tpz.al