“Jemi duke e vuajtur”, Kamenica: Kemi zëra të jashtëzakonshëm, por sistemi nuk di t’i zhvillojë
E ftuar në studion lëvizëse këtë të enjte në emisionin “Aldo Morning Show”, në Tv Klan, ka qenë këngëtarja e njohur dhe e dashur për publikun, Vikena Kamenica.
Ajo e nisi intervistën me një temë tepër interesante. Kamenica u ndal tek koha e komunizmit e u shpreh se atëherë, arti ka qenë më me vlerë. Këngëtarja thotë që kur u prish sistemi, njerëzit morën çfarë u doli përpara nga kulturat e tjera, duke mos e filtruar ose zhvilluar atë.
Vikena Kamenica: Ne kemi këngët tona, pa diskutim që kemi këngët tona. Këngët që janë të krijuara me bazë të fortë mendimi, po dalim prapë tek mendimi. Edhe pse këto vitet e tranzicionit na kanë vënë në sfida shumë të forta dhe të vështira, kaluam më shumë sipërfaqësor seç duhet. Kjo prishi atë balancën që më përpara ishte krijuar me shumë kujdes. Të flasim për ato vite që për një pjesë shumë të mirë të popullsisë, kanë qenë shumë të errëta, pa diskutim, se të tilla kanë qenë, por kur kapim vendosjen dhe mënyrën si u trajtua arti në ato vite, ka qenë më me vlerë. Domethënë janë vite shumë problematike, pa diskutim, komunizmi është me ngucjen që bëri, por…
Aldo: Të marrim komunizmin, edhe tani pas ‘90-ës.
Vikena Kamenica: Pas ’90-ës pritëm, i prishëm shumë balancat. Nuk e di, domethënë, kjo hapja më shumë na çoroditi, sikur hapet ai koteci dhe pulat nuk dinë nga ikin.
Aldo: Kemi pasur nevojë ndoshta o Viken?
Vikena Kamenica: Nevoja është pa diskutim që po, por problem është ngaqë u prish sistemi, ne morëm çfarë na doli përpara.
Aldo: A nuk patën bërë zgjedhje?
Vikena Kamenica: Ne filtra nuk patëm dot më dhe këtë po e vuajmë tani. Po e vuajmë tek shijet që kemi. Po e vuajmë deri tek vetë muzikanti. Dëgjoj fjali që thonë: ‘E tani ne duam një gjë për popull. Kemi nevojë për popull’.
E teksa fliste për këtë temë, Vikena Kamenica tregon gjithashtu edhe për talentet që ka Shqipëria të cilët jetojnë në një sistem që nuk i zhvillon këto vlera.
Vikena Kamenica: Ky është problem, tek ai emision prej kaq e kaq vitesh kam kuptuar çfarë raporti talentesh kemi ne me popullsinë që jemi. Por duke mos patur një sistem ata siç këndojnë, që kanë kënduar te…
Aldo: Më fal unë jam i brezit ‘Ty Flamur të duam shumë’. Këtë kemi bërë në shkollë ne.
Vikena Kamenica: Këtu dua të dal, kemi shumë e shumë vlera, por në një sistem që nuk ka arritur dot që t’i zhvillojë. As t’i filtrojë, por as t’i zhvillojë. Zëra të bukur dhe të jashtëzakonshëm, sot që flasim. Unë prandaj ta them si raport, sepse dhe artistët që kemi nxjerrë në botë me kaq pak sa jemi, ne nuk duhet të krahasohemi. As me Gjermani as në Azi, që nxjerrë, por jo që të shkojnë në majat më të larta siç kemi vajtur ne. /tvklan.al