“Do jem femër në plot kuptimin e fjalës”, Trejsi Sejdini ndryshon për “Miss Universe”

Trejsi Sejdini është Miss-i nga Elbasani, që fitoi kurorën në garën e “Miss Universe Albania” në Tiranë dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në finalen ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më datë 17 dhjetor. Vajza 1,82 m e gjatë, e cila para garës njihej si “gangsterja” e Elbasanit, ndryshoi kështu stereotipin për miss-et, të cilat promovojnë paqen në çdo kompeticion ku marrin pjesë.

18-vjeçarja luftarake që synon të bëjë karrierë në modeling, ka realizuar tashmë fotot artistike, ku na ekspozon formën fizike që ka arritur para garës. Elegante, me muskuj dhe e nxirë në trup, shfaqet ajo në setin e ri, që publikohet për herë të parë nga “Panorama Plus”.

Duket se për këtë garë ku marrin pjesë vajza nga e gjithë bota, Trejsi dhe produksioni janë përpjekur t’u afrohen shijeve amerikane për femrën e bukur të momentit, pa humbur tiparet e një bukurie mesdhetare.

Gjithashtu Trejsi ka punuar që të ketë një imazh sa më të pastër për prezantimin e Shqipërisë në botë, duke hedhur pas krahëve bëmat si dhe famën si “gangsterja” e Elbasanit.

“Kurora e ‘Miss Universe’ ka një peshë të madhe për mua, që gjithashtu më rrit edhe përgjegjësinë para vetes dhe publikut. Pasi e mora atë kurorë, unë akoma nuk e besoj dot që e kam në shtëpi. Madje, e lë te koka e krevatit që ta shikoj çdo mëngjes kur zgjohem”, është shprehur ajo për “Panorama Plus”.

Në lidhje me ambicien që ka për ta sjellë në Shqipëri edhe kurorën ndërkombëtare të “Miss Universe”, ajo thotë: “Do të mundohem të jap më të mirën time. Do të kujdesem për veten në çdo aspekt, duke filluar që nga një palestër intensive, ushqim i kontrolluar, etj.. Me pak fjalë, do të mundohem të nxjerr në pah sharmin, elegancën, klasin tim. Pra, të përfaqësoj femrën në plot kuptimin e fjalës”. Ndërkohë, ende pa filluar gara, komentues nga e gjithë bota e kanë etiketuar si një ndër favoritet për të fituar këtë garë bukurie./Panorama Plus