“Jam për eutanazinë, njeriun nuk mund ta mbash gjallë me makineri”, Kongoli: Pa Lilin nuk do isha bërë shkrimtar
Fatos Kongoli ka zbuluar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, se librin “Gënjeshtarët e vegjël” e ka shkruar gjatë kohës kur ishte i sëmurë dhe kur u bë më mirë e plotësoi.
Ai ka deklaruar se është pro eutanazisë, edhe pse shumë njerëz e konsiderojnë si skandaloze. Kongoli ka theskuar se është e padrejtë që njeriun ta mbash gjallë me makineri.
“Unë atë libër në fakt e kam shkruar gjatë kohës që kam qenë shumë i sëmurë. E kam krijuar në vetvete dhe e kam plotësuar të gjithin. Unë e kisha të gatshëm kur fillova ta shkruaj sepse e kisha përtypur me vetveten, e kisha përtyp dhe ripërtyp aq shumë, sa që kur u shërova e kam shkruar me një frymë sepse e kisha të gatshëm.
Unë jam për eutanazinë, është njerëzore, e shpëton njeriun. Është e papranueshme kjo që them, sepse nuk di si ta shpjegoj tani. Por unë jam, kur e sheh që është e padrejtë, jo njerëzore, ta mbash njeriun gjallë me makineri, kur nuk është më njeri, kur nuk komunikon. Vetëm zgjat agoninë, nuk bën asgjë tjetër. Nuk janë dakord shumica e njerëzve me këtë mendim, e di që disa skandalizohen. Mirëpo, nuk kam çfarë bëj”, u shpreh shkrimtari.
Më tej, ai ka folur dhe për bashkëshorten pa të cilën nuk do të ishte bërë shkrimtar. Kongoli ka treguar se ajo i lexon librat e tij kur botohen, pasi është një kusht që ia ka vendosur që në fillim.
“Unë pa Lilin nuk do isha bërë shkrimtar. Lili i lexon librat e mi kur dalin libra, ajo nuk e di me se merrem, çfarë bëj sepse ja kam vënë kusht që në fillim. I kam thënë, po tregove kureshtje, jo të më pyesi se ça po bën, më mirë e prishim këtu muhabetin. Vepra që tregohet nuk shkruhet. Jam supersticioz”, tha ai./abcnews.al