“Jam djali i tij, zhvarroseni ta provojmë”, Maradona nuk gjen qetësi as në parajsë

Diego Armando Maradona u nda nga jeta për shkak të një arresti kardiak të mërkurën e shkuar, teksa dje ai u preh në një varrezë 40 kilometra nga Buenos Aires, pranë prindërve të tij. Shumë aludime për çështje të ndryshme ka pasur në lidhje me atë çka ka lënë pas.

Mes thashethemeve ishte edhe një testament, i cili flitej të ishte firmosur nga Diego, i cili pranonte që trupi i tij pas vdekjes të digjej, pra asgjësohej. Ky testament ka bërë “të zgjohet” dikush dhe të kërkojë përmes avokatit të tij mbajtjen e trupit të Maradonës.

Santiago Lara, i lindur në vitin 2001 pretendon se është djali i Maradonës dhe për këtë ka kërkuar prej vitesh krahasimin e ADN-së së tij me atë të Diegos. Mamaja e tij, Natalia Garat e kishte takuar ish-yllin e Napoli e Barcelonës kur ishte 19 vjeç dhe punonte si modele. Katër vite më vonë ajo ndërroi jetë, por pak para kësaj ajo kishte rrëfyer se Maradona është babai i Santiagos.

Ky i fundit përmes avokatit të tij ndërmori rrugë ligjore e madje takoi edhe përfaqësuesin ligjor të Maradonës, Matias Morla. Ky i fundit qe shprehur se djali do e takonte Diegon dhe do siguronte një provë nga ADN  e argjentinasit, por kjo nuk ndodhi kurrë.

Santiago vazhdon ende me pretendimin e tij dhe së fundmi ai përmes avokatit të tij sipas Semana.com kërkon zhvarrosjen e Maradonës dhe marrjen e vendimit për të mos e asgjësuar trupin e legjendës së futbollit. Nëse vërtetohet, Lara është fëmija e gjashtë e Maradonës.

“Unë thjesht dua të di kush jam. Nuk kam pretendime financiare. Deri në ditët e fundit para vdekjes së saj, kur iu desh të hiqte aparatin mjekësor për të folur, nëna ime i tha një grupi avokatësh se isha djali i Diegos. Ata janë njohur kur ajo punonte si modele dhe kanë shumë miq të përbashkët”, u shpreh Santiago për mediet argjentinase. /abcnews.al