Jahti i Jeff Bezos ankorohet në Sarandë. Miliarderi po pushon në Shqipëri?
Mos e besoni po deshët por super miliarderi Jeffrey Bezos ka ankoruar jahtin e tij “Flying Fox” në Sarandë. Jahti gjigant është parë mëngjesin e sotëm në bregdetin shqiptar ku edhe ka hasur probleme me ankorimin për shkak të zonës së kufizuar. Mbi jaht është edhe helikopteri ku miliarderi mund të hipë për të shijuar vijën bregdetare.
Jahti “Flying Fox” konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë dhe luksozët në botë. Me 136 metra gjatësi dhe 22.5 metra gjerësi, “Flying Fox” mund të mbajë 22 të ftuar VIP, ku secili ka dhomën e vet.
Sipas “Abc”, arsyeja e ankorimit të jahtit të Bezos lidhet me furnizimin e tij me naftë pa akcizë. Jahti ka motorë super të fuqishëm të cilët harxhojnë 250 litra karburant për një orë lundrim. Bëhet fjalë për 682 000 litra karburant, të cilat nëse do të mbusheshin në ndonjë shtet tjetër mund të nevojiteshin 650-700 mijë euro, kurse në Shqipëri, me heqjen e akciës së karburantit për jahtet, Bezosit i duhet të paguajë rreth 430 mijë euro. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Bezos të ketë ardhur në vendin tonë për pushime.