Jada Pinkett Smith më në fund theu heshtjen për shuplakën e famshme të Oscar-it
Kanë kaluar thuajse tre muaj nga shuplaka e famshme e Oscar-it, kur Will Smith goditi komedianin Chris Rock pas komentit të pahijshëm që ky i fundit bëri për gruan e Smith, Jada Pinkett Smith.
Jada e cila nuk e komentoi gjestin e të shoqit asokohe, vendosi të reagojë tani, teksa ndante në emisionin e saj histori të njerëzve të ndryshëm që vuajnë nga e njëjta sëmundje me të, alopecia.
“Tani, të flasim pak për natën e Oscar-it.- tha ajo me sytë drejtuar nga kamera. Shpresa ime më e madhe është që këta dy burra inteligjentë të jenë të aftë të shërohen, të flasin dhe të pajtohen me njëri-tjetrin.”
Pa e përmendur fare emrin e Rock, ajo tha se bota ka nevojë për të dy ata.
“Ne kemi nevojë për ata. Deri atëherë, Will dhe unë do të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë për 28 vite dhe të zbulojmë gjithnjë e më shumë të ashtuquajturën jetë.”
Me pak fjalë, Jada kërkon paqe mes tyre dhe deklarata e saj i ngjan fundit të kësaj historie. Pak javë pas ngjarjes së bujshme, Smith kërkoi ndjesë për gjestin e dhunshëm ndërsa Akademia mori vendimin për ta përjashtuar nga pjesëmarrja në Oscar për 10 vite.
Burimi: Glamour
Anabelmagazine