
“Ja prova që vila në Qerret është e Arben Xoxës”, Veliaj publikon fotot e vjehrrit të tij të ndjerë dhe sulmon prokurorin
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga qelia, duke publikuar këtë herë fotot e vjehrrit të tij të ndjerë, Arben Xoxa, nga vila e këtij të fundit në Qerret.
Përmes një reagimi ne Facebook, Veliaj ka mohuar sërish pretendimet se vila në Qerret është në pronësi të tij dhe ka publikuar foto dhe prova që sipas tij e vërtetojnë se kjo pronë është e babait të bashkëshortes.
“Ndërtuesi prokuror, pretendon se shtëpia e Arben Xoxës në Qerret – të cilën e ka pasur që përpara se të isha unë në politikë, madje apartamentin fillestar, përpara se të martohesha me Ajolën – nuk është në fakt e tija, por e imja.Po me cilat prova?”, shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku shprehet ndër të tjera se fotot e vjehrrit të tij, janë shkrepur rreth 6 vite më parë, verën e vitit 2018, kur ai gëzonte shëndet të plotë.
“Por, fotoja, si minimum, është bërë kur njerëzit ishin gjallë – apo jo Sherlock? Pra, të paktën 6 vite më parë, zoti sigurims? Pra, si minimum, verën e 2018-ës, se janë me veshje me mëngë të shkurtra, e gjatë dimrit, i zoti i shtëpisë zuri spitalin e ndërroi jetë në Shkurt 2019. Po si, atëherë, pretendon që s’ka qenë kurrë?”, shkruan ai.
Reagimi
Këtë muaj mbushen 6 vjet nga vdekja e Arben Xoxës, qytetar model, një njeri i letrave trashëguar prej Jakovit, profesor, drejtues i RTSH-së, botues i Botimeve Enciklopedike dhe sipërmarrës i suksesshëm pas viteve ’90. Këtë muaj do duhej ta përkujtonim me respekt, por me vendim të ndërtuesit noter Olsi Dado, po persekutohet edhe në atë botë!
Ndërtuesi prokuror, pretendon se shtëpia e Arben Xoxës në Qerret – të cilën e ka pasur që përpara se të isha unë në politikë, madje apartamentin fillestar, përpara se të martohesha me Ajolën – nuk është në fakt e tija, por e imja.
Po me cilat prova? Ols ndërtuesi thotë se shoferi i 4 muajve të fundit të jetës së Arbenit nuk e ka çuar në plazh. Më fal, por nëse 4 muajt e fundit të jetës ishte pacient me tumor në kokë, nën regjimin spitalor të doktor Petrelës, pse do shkonte në plazh? Dhe i pasëmurë, pse do vente robi në plazh në dimër, Nëntor, Dhjetor, Janar, Shkurt?
Madje, Ols violina, insiston se Arben Xoxa s’ka qenë kurrë në shtëpinë e tij! Po mirë, po ky në foto kush është? Ndjesë pastë, aty është edhe Ganimet Vendresha, gjyshja e ndjerë, ish primabalerina e parë në TOB te shfaqja ‘Halili & Hajria’. Bashkë me ta, sopranoja e pianistja e njohur, duke drekuar!
Që Ols dështaku në violinë, as në ëndërr s’do ulej dot me kaq artistë, kjo s’do mend! Por, fotoja, si minimum, është bërë kur njerëzit ishin gjallë – apo jo Sherlock? Pra, të paktën 6 vite më parë, zoti sigurims? Pra, si minimum, verën e 2018-ës, se janë me veshje me mëngë të shkurtra, e gjatë dimrit, i zoti i shtëpisë zuri spitalin e ndërroi jetë në Shkurt 2019. Po si, atëherë, pretendon që s’ka qenë kurrë?
Po unë pse s’do e deklaroja po ta kisha? Po tani ç’të bëj? Djali të mos vejë te gjyshja me lodra, se i veshin pronën? Pra, po kjo gjykatë, që i thotë Saliut vila në Lalëz është e vajzës, ndaj mund të shkosh, i thotë nipit të Arben Xoxës, ti nuk mund të vesh te gjyshja? Dhe këtë e bekon adashi kasap, gjykatësi i thertores Erjon Bani: Të gjithë të barabartë para ligjit, por disa – si Sali kërma – më të barabartë se të tjerët!
Në fund, ky prokuror pervers, që sillet si hasani i grave të botës, ka fuqinë të ta fyejë inteligjencën në mënyrën më mbresëlënëse! Beni vërtet s’jeton më, por të paktën ju kursyen ditët kur drejtësia ka përfunduar në llogjikën njëqelizore të një parameci funksional!
Një të dielë plot diell e dashuri për të gjithë!