Ja dhjetë shtetet e para që arritën të kualifikohen për në finalen e “Eurovision 2021”
Mbrëmjen e djeshme është mbajtur nata e parë e “Eurovision 2021” në “Ahoy Arena” të Roterdamit.
Për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit, në sallë qenë të pranishëm vetëm 3,500 persona, sipas “BBC”. Të gjithë personat që ishin të pranishëm janë testuar dhe vetëm ata që kanë dalë negativ ndaj Covid-19, kanë mundur të marrin pjesë.
Një vit pas anulimit si pasojë e koronavirusit, gjysmëfinalja e parë u mbajt mbrëmë. Në të morën pjesë 16 shtete, prej të cilave vetëm 10 arritën të fitonin një vend për në finalen e madhe që do të mbahet të shtunën, më 22 maj.
Shtetet që arritën të kualifikoheshin mbrëmë ishin: Norvegjia, Izraeli, Rusia, Azerbajxhani, Malta, Lituania, Qipro, Suedia, Belgjika dhe Ukraina. Kjo u bë e ditur edhe me anë të një postimi në faqen zyrtare në Instagram të “Eurovision”.
Anxhela Peristeri do të ngjitet në skenën e madhe në natën e dytë dhe do të jetë e 11-ta në radhë që do të performojë.