Ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës për mësuesin që ngacmonte nxënësen

Policia e Fierit ndaloi të mërkurën një mësues të Shkollës së Mesme Artistike “Jakov Xoxa” nën dyshimet e kryerjes së veprës penale të ngacmimit seksual.

Agron Bego, 63 vjeç, u ndalua pas shfaqjes së pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, të televizionit kombëtar “Klan” ku ai duket se ngacmonte seksualisht në mënyrë verbale një nxënëse, në mjediset e brendshme të shkollës.

Pamjet filmike të transmetuara nga emisioni investigativ duket se paraqesin mësuesin tek bën provokime verbale seksuale ndaj nxënëses dhe i ofron ndihmë për heqjen e mungesave në këmbim të intimitetit. Sipas organizatave që mbrojnë fëmijët rastet e ngacmimit seksual në shkolla vazhdojnë të jenë një dukuri shqetësuese në Shqipëri. Ato dalin në pah pas denoncimeve që bëjnë vetë prindërit ose nga emisionet investigative.

Në fillim të muajit shkurt Gjykata e Durrësit dënoi me burgim që varionte nga 3 deri në 6 vite, 7 adoleshentë të cilët u akuzuan një vit më parë për përdhunimin e një 13-vjeçareje në Kavajë, ngjarje që ngjalli reagime të forta të opinionin publik në Shqipëri. Fundvitin e shkuar gjykata e Gjirokastrës dënoi me tre vjet e gjysmë burg një mësues, i cili u gjet fajtor për veprën penale “ngacmim seksual” të një nxënëseje në një shkollë në një zonë rurale të Delvinës. Po në Gjykatën e Gjirokastrës, po zhvillohet një tjetër proces gjyqësor në ngarkim të një mësuesi në Tepelenë i cili akuzohet për “vepra të turpshme me të mitur”./VOA