Iu ndalua të këndonte në fëmijëri: Tani fitoi një Grammy në moshën 95-vjeçare

Nëse ju duhet një provë për të kuptuar se nuk është kurrë vonë për t’i bërë ëndrrat realitet, ky është fiks rast i duhur.

Angela Álvarez, 95 vjeç, sapo ka fituar një Grammy latin, si “artistja e re më e mirë”, duke u bërë fituesja më e madhe në moshë nga të gjitha shfaqjet e çmimeve muzikore.

Këngëtarja amerikano-kubaneze kishte shkruar këngë dekada më parë, por i kishte interpretuar ato vetëm për miqtë dhe familjen, derisa, në moshën 90-vjeçare, ajo shkoi në Avalon, klubin historik të natës në Hollywood, ku dha koncertin e saj të parë.

Nipi i Álvarez, Carlos, regjistroi këngët e saj në një album me ndihmën e aktorit Andy García. Albumi u nominua në Latin Grammy dhe pjesa tjetër është histori!

“Për ata që ende nuk i kanë realizuar ëndrrat e tyre, dijeni se megjithëse jeta është e vështirë, ka gjithmonë një rrugëdalje dhe me besim dhe dashuri gjithçka mund të arrihet”, tha Álvarez në fjalimin e fitores.

E rritur në Kubën para-revolucionare, babai dhe gjyshi i saj e ndaluan atë të ndiqte pasionin e saj për muzikën. Por këngët ajo vazhdoi t’i shkruante në fshehtësi, edhe pasi u martua dhe bëri fëmijë.

Më pas ndodhi revolucioni kuban që çoi në dekada udhëheqjeje nga Fidel Kastro dhe Álvarez mori atë që ajo e quan vendimin më të vështirë të jetës së saj: dërgimin e katër fëmijëve në Shtetet e Bashkuara.

Ata shkuan si pjesë e Operacionit “Pedro Pan”, gjatë të cilit u dërguan më shumë se 14,000 fëmijë në SHBA gjatë epokës revolucionare të Kubës midis viteve 1960 dhe 1962.

Vite më vonë ajo iu bashkua familjes së saj, edhe pse jeta e tronditi përsëri me humbjen e bashkëshortitë dhe vajzës së saj të vetme nga kanceri.

Mes gjithë vuajtjeve dhe një jete jo të lehtë, Angela duket mahnitëse në skenë dhe rrezaton kaq shumë dashuri!

Burimi: Guardian
Anabelmagazine