“Ishte mik i babait tim”/ Vajza e Poradecit rrëfen për Moikom Zeqon, zbulon ‘sekretet’ në ditarin e Lasgushit: S’më la kurrë të paguaja unë…

ANILA DEDAJ/ Poliedriku u nda nga jeta mëngjesin e 15 qershorit në moshën 71- vjeçare, duke lënë pas dhimbje tek ata që e njohën dhe misterin për dijet e universale e të gjithanshme që zotëronte.

Konsolidimin e formimit të tij, përpos literaturës e punës në terren, ai e arriti edhe falë figurave të duhura që zgjodhi si referencë. I tillë ishte edhe Lasgush Poradeci, me të cilin, siç vajza e tij Maria tregon për “Panoramën”, e lidhte një miqësi shumëvjeçare.

“E donte shumë edhe mamaja ime”, rrëfen Maria, duke shtuar se krahas natyrës së çiltër e miqësore të Zeqos, me Nafijen e Poradecit (të cilën shkrimtari e konsideronte si ‘një intelektuale të ndritur’), i lidhte edhe Durrësi, vendlindja e tyre.

Pikërisht për këtë miqësi që edhe vetë eruditi e konsideronte si “një pasuri të madhe shpirtërore e mendore”, ai do të gëzohej pa masë, kur Maria, disa vite më parë, do t’i niste një email me shënimet në ditar të Poradecit, lidhur me vizitat që së bashku me bashkëshorten, Lidën, i kishin bërë në Pogradec në vitin 1980. Vlerësimin e madh që Zeqo pati kundrejt Lasgushit (e konsideronte si figurën më të madhe intelektuale e viteve ’30) do ta shprehte duke përgatitur për të dy botime, “Lasgushi i panjohur” dhe librin album “Lasgush Poradeci dhe engjëjt e pikturës”.

Një vlerësim që me sa duket ka qenë reciprok, pasi edhe Moikom Zeqo, siç Maria tregon, do të ishte shkrimtari më i përmendur në ditarin e Lasgushit. Edhe pas vdekjes së poetit, ai dhe bashkëshortja, Lida, ruajtën raporte miqësore me të dyja vajzat e tij, Marian dhe Kostandinën.

Zonja Gusho, i ndjeri Moikom Zeqo veçonte në diskurset për letërsinë babain tuaj, Lasgush Poradecin, si një nga figurat më të ditura të viteve ’30, për kontributin në letërsi, por edhe për marrëdhëniet miqësore e familjare që kishit krijuar. Në disa prej takimeve mes tyre edhe ju keni qenë e pranishme. Çfarë kujtoni rreth tyre?

Moikomi ka hyrë si mik i babait tim shumë herët në shtëpinë tonë. Ishte një njeri shumë i dashur dhe të bënte për vete sapo e takoje. Mamaja ime sidomos e donte shumë. Sepse e kishte dhe nga Durrësi. Moikomi ishte gjithmonë i qeshur dhe ia kish fituar zemrën. Ishte një njeri që nuk dinte të krijonte distancë. Ishte gojëmbël dhe nuk mbante inat, si dhe shumë i disponueshëm kur i kërkoje një ndihmë. Mua dhe motrën time na ka ndihmuar shumë kur kemi pasur nevojë, sidomos mua.

Disa vite më parë, ju do t’i dërgonit një email poliedrikut, me shënimet në ditar të Poradecit, sa u përket takimeve me Moikomin dhe bashkëshorten e tij, Lidën. Si i priti Zeqo ato? Është e vërtetë që është një nga shkrimtarët më të përmendur në ditarin e babait tuaj?

Njëherë pata shkruar diçka dhe e botova në gazetë, mbështetur mbi librat me autograf që ai i kishte dhuruar babit tim. Iu bë shumë qejfi. Por më shumë u gëzua kur i thashë se ditët kur ishin në Pogradec me të shoqen për muaj mjalti dhe kishin vizituar babin, ai i kishte shkruar në ditarin e tij. Ndoshta vërtet ashtu është, që në ditarin e babit tim ai është shkrimtari më i përmendur.

Moikom Zeqo ka krijuar një lidhje më shumë me lexuesin dhe Poradecin edhe përmes dy botimeve “Lasgushi i panjohur” dhe librin album “Lasgush Poradeci dhe Engjëjt e Pikturës”. Si e keni pritur kujdesin që ai ka treguar ndaj dorëshkrimeve të Poradecit, por edhe ndaj librit-album?

Kur mora vesh që ishte i sëmurë, u dëshpërova shumë. Por ai nuk mund të kalonte në botën tjetër pa bërë një studim për Lasgushin, që e kishte shumë të dashur. Na ka gëzuar shumë, si mua, ashtu edhe motrën.

Cili është vlerësimi juaj për Moikom Zeqon si një figurë shumëdimensionale, veçanërisht sa i përket krijimtarisë letrare që ai la pas?

Ishte një njeri shumë i ditur, mund ta pyesje për gjithçka dhe ai nuk përtonte asnjëherë të përgjigjej. Do të na mungojë shumë mua dhe motrës, gruas dhe së shoqes së tij, Lidës, fëmijëve dhe gjithë kulturës shqiptare. Do kujtohet gjithmonë me dashuri dhe mirënjohje për të gjithë veprën që la dhe nga ata që e njohën. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Ditari/ Takimet e Moikomit me Lasgushin

Ishte viti 1980, kur Moikom Zeqos i kërkohet nga Muzeu Historik i Pogradecit për të bërë një zhytje kërkimore në afërsi të gadishullit të Linit për të zbuluar një thesar të fshehur, që sipas hamendësimeve i përkiste perandorit ilir, Justinianit të Bizantit. Gjatë kësaj kohe të qëndrimit të tij në Pogradec, ai, së bashku me bashkëshorten e tij Lidën, do ta vizitojë disa herë Lasgushin. Në disa prej takimeve, të pranishëm do jenë edhe bashkëshortja e poetit, Nafija, si dhe dy vajzat e tij. Do të kalonin vite, kur vajza e Lasgushit, Maria, do të zbulonte se poeti këto vizita të Moikomit i kishte shënuar në ditarin e tij, bashkë me të tjera vizita e biseda të ’81-shit. Në ditar, poeti shkruan edhe për vajtjen e anuluar të tijën dhe Zeqos në Kosovë (për shkak të vdekjes së Titos, në një delegacion të Lidhjes së Shkrimtarëve).

PJESË NGA DITARI I LASGUSHIT
(Përgatitur nga Maria Gusho)
Poradec, 18 shtator 1980:
Më vizitoj poeti dhe shkrimtari Moikom Zeqo me nusen e tij, i cili u martua tashi.
Tha: “Kam ardhur disa herë”. Dje më lajmëroj me anën e fqinjëve se do të vijë sot në orën 10.
Më solli si dhuratë “Perëndeshën e Butrintit”(porcelan), tha: “Do na e kthejë Italia”.
Më solli libërzën e tij “Stina e balonave” me vjersha për fëmijë, botuar në Tiranë 1979, më ka shkrojtur kushtim, më solli edhe fotografinë e mozaikut të Durrësit: “Bukuroshja e Durrësit”.
Më tha do vijë prapë.
Edhe në fotografia ka kushtim.
Kushtimet janë (i librës): “Poetit të madh Lasgush Poradeci etc”, (i fotografisë): “Lirikut të madh Lasgush Poradeci ect”.
Më kërkoj “Kamadevan”, i thashë t’ia korrigjoj gabimet daktilografike, pastaj t’ia jap.
Poradec, e premte 26 shtator 1980:
Ardhi mbrëmave ora 6 Moikom Zeqoja në shtëpi, më solli dhuratë 1 klen (peshk) të math, tha: “E vrava me thikë unë nën ujë, ma rrëfeu gushën e klenit ku kish hyrë thika. Moikomi dje vajti në Elin(në fshatin Buqeza, në gadishullin e Linit) për hunjtë që duken nën ujë.
Më tha: “Zbulova banesat lakustre, hunjtë ishin prej gështenje”. Kish hyrë 2 herë nën ujë, çdo herë kish ndenjur nën ujë nga 45 minuta.
“Nesër,- tha, – do vete prapë në Elin. Nesër do vijnë atje profesorët francezë” (që janë për vizitë?).
I thashë të vejë bashkë me Bashkim Shehunn në Ministrinë përkatëse.

Tha: “Do ta mbarojmë” (po a do mundi të mbarojë emërimin e Maries?)
Poradec, e shtunë 27 shtator 1980:
Moikomi më ardhi në shtëpi bashkë me të shoqen në orën 9 të mëngjezit, u fjalosmë mjaft, pastaj vajtmë në kafenenë e “Turizmit” të vogël, ku ndenjmë me Nuçi Tirën.
Ardhi Moikomi edhe mbrëmave (pa u ngrysur) ora 6 me të shoqen në shtëpi, më shpuri në “Turizmin e math”.
Pagovi, si gjithnjë, ay (s’më ka lënë kurrë të paguaj unë).
Poradec, e hënë 29 shtator 1980:
Moikomi më tha se do vemi në Kosovë prillin ose majin e arthmë (1981). Unë i kam thënë këto ditë se kam disa kondita që të vete në Kosovë.
Moikomi më tha se pregatitjet për vajtjen time në Kosovë (Prishtinë) janë të gatshme. Po unë nuk e kam fjalën për “Pregatitjet që qenkan gati. Unë kam kondita që të mund të vete në Kosovë.
Poradec, 25/10/1980:
Mora letër prej Moikom Zeqos, më dërgon dhe 1 fotografi timen që më nxorri me aparatin e tij. Më thotë se Marien do t’a emërojnë së shpejti (u interesua ay), më dërgon të fala prej Ismail Kadaresë, Bashkim Shehut dhe gruas së tij.
Poradec, e premte 17 korrik 1981:
Ardhi Maria prej Tirane, 5 ditë me rrogë 7 pa të drejtë rroge.
Më tha që më 5 maj, 1 ditë pasi u nisa për në Poradec (4 maj) më kish ardhur në shtëpi në Tiranë Moikom Zeqoja bashkë me Bashkim Shehun.
Kur i tha Maria që kisha shkuar në Poradec, Moikomi kish thënë:
“Ah!”, me shumë surprizë. Kishin ndenjur si ndonjë orë, i kish fjalosur Maria. Moikomi kish sjellë dhe 1 libër të tij… I kish thënë Maries se do më vinë në Poradec. Kishin vajtur me 1 veturë.

PANORAMA