Ishte futur i maskuar: David Beckham detyrohet të ikë mes shkurreve në ditën e debutimit të djalit të tij Romeo
Romeo Beckham, djali i dytë i David, ka nisur aventurën në Angli pak ditë më parë. Djaloshi luan në skuadrën e dytë të Brentford dhe dje ka debutuar në London Senior Cup. Beckham ka zbritur në fushë në ndeshjen kundër Erith & Belvedere FC. Nuk mund të mungonte në këtë debutim David Beckham, që po e shikonte ndeshjen në tribuna.
Legjenda e futbollit anglez kishte menduar ta parë ndeshjen pa ngjallur vëmendjen e tifozëve. Kështu, Beckham ishte kamufluar me një kapuç dhe një kapele të ulur mbi fytyrë. Por një person kaq i famshëm e ka të vështirë të mos njihet në publik. Në fakt, u desh pak kohë derisa një nga spektatorët ta shikonte. Ai, pasi e kishte identifikuar ish-futbollistin e Manchester United, i kërkoi një foto.
Tashmë i demaskuar, Beckham u sulmua nga qindra tifozë të cilët i kërkonin autografe dhe selfie. Megjithatë, pasi plotësoi kërkesat e disave prej tyre, presidenti i Inter Miami nuk mundi të përballonte më gjithë atë vëmendje. Kështu, David u arratis nga tribuna. Nuk kishte shumë alternativa, kështu që ai u ngjit mbi një gardh dhe kaloi mes shkurreve e gjembave, duke lënë kështu tifozët në tribuna. Pas arratisjes, askush nuk mundi ta lokalizonte brenda ambienteve të stadiumit amator, pavarësisht se mbi 500 tifozë ishin të pranishëm në ndeshje.
Ndeshja përfundoi 3-2 në favor të Brentford. Kush e di nëse Beckham arriti ta shihte djalin e tij duke luajtur, apo adhurimi i turmës ia mohoi atij gëzimin për të parë debutimin e Romeo Beckham.