“Isha kundër”- Robert Aliaj flet për të birin që po kërkon dashurinë në ekran: Me tipin e vështirë, s’e besoj që do gjejë nuse në ekran

Krist Aliaj është djali që Robert Aliaj komenton çdo të hënë në “Love Story”, për mënyrën se si princi në fron po e zgjedh partneren e jetës dhe se si po sillet në takimet me vajzat pretendente.

Në fakt, është djali i tij, me të cilin janë si shokë, dhe Roberti në pozicionin e opinionistit, i duhet ta gjykojë, këshillojë apo kritikojë. Në dukje duket e thjeshtë, por kjo përballje e babait me të birin që takon vajzat para syve të tij, herë pas here shfaqet polemizuese apo deri konfliktuale.

Për këtë përballje dhe si e sheh pjesëmarrjen e të birit në një program të tillë, Roberti ka folur për herë të parë publikisht jashtë programit. A ishte dakord Robert Aliaj që djali i tij të merrte pjesë në një reality show, ku kërkohet dashuria dhe partnerja?

Gjatë një interviste, ai pohoi se nuk ishte aspak dakord, por që Kristi është një djalë i rritur dhe ka arsyet e veta, që është në atë program.

“Si baba mua nuk më takon të ndërhyrj. Në asnjë rast nuk ndërhyj në asgjë, edhe kur ka qenë më i vogël. Gjithmonë kam dashur që djali im ta vrasë simbolikisht figurën e babait të vet. Arsyet se pse erdhi ai i di vetë”, tha ai i ftuar në “ABC-ja e Pasdites”.

Kur u pyet nëse e favorizon fakti që ai është opinionist aty, Roberti pohoi se nuk është aspak favorizuese prania e tij në reality show, pasi në asnjë moment nuk do ndikoj për të.

Cili prej tyre beson qe Krist mund të gjej nuse në televizion? Roberti tha se nuk e beson fare që do gjej nuse në program, sepse është rritur me modelin e nënës së tij që është shumë kërkuese.

Teksa qeshte tha: “Nuk besoj fare, por ai e di vetë. Unë nuk kam qenë dakord që të vijë. Kristi është një djalë i vështirë, ka model femëror mamanë e vet dhe është jashtëzakonisht e vështirë kjo gjë se është një femër që ka jashtëzakonisht shumë kërkesa”.

Nisja e “Love Story 2”, këtë vit ka për protagonist Kristin, Xhonin dhe dy vajza froniste. Kristi është menaxheri i së motrës, Gala Aliaj, dhe njëkohësisht një ekspert parfumesh, një pasion të cilin ka zgjedhur ta kthejë në profesion.

Krist Aliaj Dragot studion për Shkenca politike dhe është i talentuar në pikturë dhe muzikë si i ati, gjithashtu një nga pasionet e tij janë parfumet, të cilën e konsideron një botë më vete për të cilën mund të ketë shumë ç’të tregojë.

Në program pati përplasjen e parë me të atin, pasi ai e kritikoi që kishte vendosur të vinte në program me makinë Ferrari, duke i treguar se ata ishin një familje e shtresës së mesme dhe kjo makinë e shtrenjtë duke që ishte diçka e ekzagjeruar. Tashmë një ekspert parfumesh, ai para se të merrte pjesë në këtë format, ka dhënë një intervisë ku ka zbuluar disa sekrete.

Në këtë intervistë për revistën i është përgjigjur pyetjeve që zbulojnë më shumë nga bota e tij, që është po aq interesante dhe e thellë si babai i tij.

“Më duket se ka diçka tek unë, që e kam hundën shumë të zhvilluar. Dhe është një shqisë primare që mua më thotë shumë shpejt nëse e kam qejf një gjë ose jo. E kam te hunda, e kam edhe te sytë, por te hunda e kam më të fortë akoma.

Te sytë ka edhe kompleksitete, ka kënde, ka situata, ka ngjyra. Hunda është shumë e drejtëpërdrejtë. Dhe aty lindi interesi. Ishte shumë instinktive dhe u futa për ta zhvilluar më shumë. Fillova krijova një interes ndaj hundës sime dhe parfumeve. Erdhi në një mënyrë shumë natyrale, pa shumë mendime, gjykime dhe influenca.

Ia nisa shumë shumë thjesht. Fillon me ca parfume si Bloom, shumë të thjeshta që kanë erë të freskët. Pastaj kalon diku dhe nuhat një gjë tjetër dhe do të hetosh më shumë. Kështu rritet interesi”, tregon ai.

Çfarë të duhet për të qenë një specialist parfumesh si ai? “Për të qenë një specialist parfumesh të duhet asgjë dhe çdo gjë. Duhet të kesh një pasion, duhet të kesh hundën shumë kurioze. Dhe duhet të kesh edhe një dëshirë për të studiuar, për të bërë kërkime. Duhet të jesh aktiv, por nuk ke nevojë të kesh asnjë lloj backgroundi. Parfumi më i mirë në botë për mua nuk ekziston. Është pak pyetje paradoksale. Nuk e di për mua cili është parfumi më i mirë në botë. Për mua s’ka parfum më të mirë në botë. Ka parfume referencë, që kanë ndryshuar shumë gjëra [me kohën], që kanë dhënë trende, që kanë punuar shumë mirë.

Ka gjithmonë periudha kur kam të preferuar parfume të caktuar. Ndërsa parfum të preferuar nuk kam vetëm një, ky është problemi. Stina influencon pak në zgjedhje, por jo edhe shumë. Pastaj stina nuk është për mua një element deçiziv për një parfum apo një tjetër. Unë ndjek atë instinktin tim.

Unë kam shumë qejf tani një parfum që quhet Megamare nga marka italiane Orto Parisi, që mban erë si det i pistë. Si referencë detin e kemi me pastërti me situata idilike… Unë doja, dhe e gjeta në fakt, një aromë që mbante erë si det i pistë… Këtë e përdor shpesh. Shumë e çuditshme, në fakt”.

Pyetjes, A arrin të kuptosh diçka për një person vetëm nga parfumi që ai përdor?, Krist i përgjigjet: “Arrin të kuptosh shumë! Arrin të kuptosh idetë që mund të ketë, dëshirat që mund të ketë. A është një njeri që mendon shumë për aspektin estetik? Kupton shumë!”.

E nëse ai mund t’i dhurojë ndonjë vajze parfum, kjo është e mundur, përderisa thotë: “Është një mënyrë e lezetshme edhe për ty vetë si blerës të vihesh në një pozitë që të mendosh se si dhe ç’lloj parfumi do t’i blesh personit në fjalë. Është një lojë e lezetshme që unë kam qejf ta loz shpesh”.

Në lidhje me shijet që ka për vajzat, ai e ka treguar tashmë se preferon vajza e rafinuara dhe me forma të kolme.

Panoramaplus.al