“Isha i uritur, askush nuk mund të më ndalte për të luajtur në derbi”, Ibra: Ja për kë ishte festimi që të mbyllte gojën

Zlatan Ibrahimoviç riktheu Milanin te fitorja në derbi në kampionat, pas më shumë se 4 viteve, Suedezi realizoi dopietë në fitoren 2-1 të kuqezinjve ndaj Interit. Në intervistën pas ndeshjes, suedezi u shpreh se ishte i uritur dhe këtë e tregoi me golat e shënuar, teksa më tej shpjegon edhe festimin pas golit të shënuar.

“Një ndeshje shumë e rëndësishme kundër Interit. Milan nuk e kishte fituar derbin për 4 vjet, unë isha i mbyllur në shtëpi për dy javë. Isha aq i uritur dhe sot e provova me këto dy gola. Jam i zhgënjyer me një penallti të gabuar, por e rëndësishme është fitorja. Kjo aventurë vazhdon.

Ne jemi në fillim, që kur kam ardhur unë ekipi ka bërë gjëra të mëdha, veçanërisht pas karantinës. Ekipi po rritet shumë, mentaliteti është ndryshe, të rinjtë marrin më shumë përgjegjësi. Të gjithë stërviten shkëlqyeshëm. Ndjej shumë përgjegjësi, jam më i vjetëri në ekip. Një situatë që më pëlqen shumë, të gjithë më ndjekin dhe të gjithë janë të uritur për të fituar.

Unë nuk jam i habitur nga vetja ime. Unë e di se cili është niveli im. Pas dëmtimit shkova në Amerikë për tu ndjerë i gjallë. Në Mançester i thashë Murinjos se nuk isha gati dhe nuk doja ta zhgënjeja, kështu që shkova në Amerikë. Pastaj Mino më tha të kthehesha në Evropë, pasi Milani kishte nevojë për mua.

Karantina? Kam humbur vetëm pak shije, bëja tamponë çdo 3 ditë. Do të kisha luajtur derbi gjithsesi, askush nuk do të më ndalonte. Ndihem më i plotë, kam më shumë përvojë.

Kur je i ri je akoma në rritje. Tani ndihem i plotë, sikur të kisha gjendjen e 10 viteve më parë askush nuk do të më ndalonte, por edhe tani nuk më ndalojnë.

Festimi për të mbyllur gojën? Ishte dikush që bërtiste nga publiku dhe më shante, ky festim ishte vetëm për të.

Fizikisht jam mirë, stërvitem shumë. Po luaj me përvojë të madhe dhe luaj me shokë që janë të gatshëm të bëjnë shumë gjëra. Ata po bëjnë mirë, ata dëgjojnë, unë i jap intensitet të gjithëve. Nuk e pranoj që ata të pushojnë, në stërvitje dhe në ndeshje. Duhet të stërvitesh 200%. Trajneri përgatiti lojën shumë mirë, ai vendosi se si duhet të sulmonim.

Në pjesën e parë e nisëm fort menjëherë, në pjesën e dytë ishim më të kontrolluar. Bëmë gjëra të mëdha, rrezikuam pak por ky është derbi”, u shpreh ibrahimoviç.

PANORAMASPORT.AL