Ish-velina brune e programit investigativ “Fiks Fare” në “Top Channel”, Anisa Mukaj, sezonin e kaluar televiziv u vendos në Milano, ku lidhi kontrata me agjenci mode atje. Pasi realizoi setet e para të fotove artistike për agjencinë më të madhe “Major Model Management”, jeta e saj ndryshoi, pasi u vendos në një qytet europian, duke ndarë të njëjtën dhomë me ish-kolegen velinë, Briseida Mehmeti. Ajo tregoi për “Panorama Plus” se vetëm për dy javë arriti të nënshkruante një kontratë 2-vjeçare me “Major Model Management”, që është një nga agjencitë më të mëdha dhe më të suksesshme në Milano dhe jo vetëm, pasi zyrat e tyre ndodhen edhe në Paris, New York dhe Munich. Duke treguar për ritualin e një modeleje në Milano, ajo rrëfeu: “Realizova disa sete fotografike me dy fotografë të ndryshëm, foto të realizuara këto për të pasuruar më shumë bookun. Gjithashtu, përveç kësaj, bëra edhe punën time të parë si modele. Isha pjesë e katalogut të një brandi të ri “Frei Clothing”. Pyetjes se me kë imazh të njohur femëror në botë e krahasonin profesionistët italianë, ajo i përgjigjet: “Pavarësisht se unë nuk shoh ndonjë ngjashmëri, më kanë krahasuar me aktoren amerikane, Catherine Zeta-Jones”. Ndërkohë, prej pak kohësh Anisa thotë se është vendosur në Turqi, pasi karriera e saj si modele varet nga agjencitë që arrin të lidhë kontratën. “Për momentin, jam në Stamboll, pasi më ka marrë përsipër një agjenci shumë e mirë këtu, kështu po eci shumë mirë, pasi pozoj për firma turke, katalogë, sfilata dhe website”, tha ajo për “Panorama Plus”. Në lidhje me pagesat u shpreh: “Pagesat janë normale, jo të mëdha, pasi janë punë ditore ose disa ditore”. Pyetjes, nëse ka plan të bëhet pjesë e serialeve televizive turke, ajo ia lë të ardhmes, duke thënë se ka vetëm 1 muaj në Stam-boll dhe nuk ka arritur ende të merret me casting”.Sa për ruajtjen e linjave, Anisa thotë se tani po i kushton më shumë rëndësi fizikut dhe se të qenurit në formë, vjen si meritë e të ushqyerit shëndetshëm dhe ushtrimit në palestër. Po cila është ana e errët e jetës së një vajze të re, që synon tregun botëror të modës? “Nuk kam shumë për të treguar, sepse jam ende në fillimet e mia. Por kam kuptuar që është një jetesë po aq sa e vështirë, aq edhe e bukur. Duhet të ndash apartamentin me modelë të tjerë, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Duhet të zgjohesh herët në mëngjes, madje të vraposh dhe të kapësh metronë, pasi duhet të shkosh në disa casting. Kur shkon atje, shikon që janë 500 vajza aty, të gjitha për një synim dhe ata do të marrin vetëm një. Të duhet të qëndrosh në radhë për disa orë rresht dhe të mos përzgjidhesh. Por sigurisht ka dhe ditë ku ti punon, pozon para aparatit me orë të tëra dhe merr në fund një lloj sadisfaksioni, e ndihesh e plotësuar. Për sa u përket pagesave, janë në varësi të punës që bën. Si përfundim, mendoj se për çdo profesion që dëshiron të ushtrosh, fillimi nuk është i lehtë dhe modelingu është nga ato profesione që s’të premton gjatë”, përfundon Anisa.