Ish e dashura e Berlusconit: Më mungon, do paguaja për të kaluar ditë me të

“Çdo gëzim ia dedikoj atij, gjithmonë. Më mungon tmerrësisht, çdo ditë. Më mungon mbi të gjitha miku im më i mirë. Askush nuk do të mund të më japë këshilla më të mira sesa ai. Do të paguaja, do të hiqja dorë nga të gjitha privilegjet e jetës sime, vetëm për të pasur edhe një vit tjetër me të.”

Francesca Pascale, në një intervistë për Le Iene, ka rrëfyer me zemër të hapur gjithë dhimbjen e saj për humbjen e Silvio Berlusconit.

Lidhja e saj me Berlusconin filloi në vitin 2010 dhe zgjati rreth dhjetë vjet. Për shkak të diferencës së madhe në moshë mes tyre (Berlusconi ishte 49 vjet më i madh), marrëdhënia e tyre tërhoqi shumë vëmendje mediatike. Edhe pas ndarjes, ajo ka folur me respekt dhe dashuri për të.

Në vitet e fundit, Pascale është angazhuar në kauza sociale, veçanërisht në mbështetje të të drejtave LGBTQ+. Në vitin 2022, ajo u martua me këngëtaren italiane Paola Turci, duke e bërë martesën e tyre një nga më të bujshmet në Itali. Megjithatë, në vitin 2024, u raportua se çifti ishte ndarë.

Lidhjen me Berlusconin ajo e quan “të papërsëritshme, fatkeqësisht”, që ka lënë në jetën e saj një boshllëk të pazëvendësueshëm:
“Nuk ka më një telefonatë para gjumit, nuk është më ai zë që të qetëson, që të bën të mos ndihesh vetëm.”

Por dhimbja më e madhe, vazhdon Pascale, mbetet fakti që nuk mundi t’i thoshte lamtumirë Berlusconit:

“Nuk pata mundësinë ta përshëndes. Kjo ishte diçka e tmerrshme. Dhe nuk më është mohuar nga familja e tij. Kur insinuojnë për vajzën, për familjen, nuk është e vërtetë. Fëmijët e Presidentit janë njerëz të ndershëm. Unë nuk pata mundësinë të përshëndes Presidentin tim, të cilin askush nuk mund të ma kthejë më pas. Ndoshta edhe atij do t’i kishte bërë qejf të më përshëndeste. Kjo është dhimbja më e madhe e jetës sime,” – tha Francesca, pa mundur të mbante lotët.

Ajo shtoi se Berlusconi “ka qenë gjithmonë i mrekullueshëm me mua. Më dha lirinë ekonomike për të bërë në jetë atë që dëshiroja. Hapa një kompani imobiliare, merrem me prona, me restaurime, ishte diçka që më pëlqente dhe vetëm falë tij munda ta bëj këtë. Kështu që, mirënjohje deri në pikën e fundit të gjakut.”

Në tetor të vitit 2024, Pascale u nda nga Paola Turci pas dy vitesh martesë. Në intervistë, ajo foli gjithashtu për rrugëtimin e saj personal dhe daljen hapur për orientimin seksual brenda familjes. Ajo zbuloi se nuk kishte pasur vështirësi për ta pranuar: “Nuk ishte problem të thoja ‘më pëlqejnë edhe gratë’. E kuptova kur isha 6 vjeç.”

Momenti kur ia tha nënës së saj mbetet i paharrueshëm: “Isha 16 vjeç. Nëna ime më ka habitur gjithmonë me inteligjencën e saj, edhe pse pa kulturë formale. Nuk më ka gjykuar kurrë. Sigurisht, kishte frikë. Frikë për reagimin e shoqërisë, për të ardhmen time: ‘Çfarë do të bëjë vajza ime?’”

Por dalja më e vështirë për të, paradoksalisht, ndodhi kur njohu Berlusconin: “I thashë nënës: ‘Mami, më ka telefonuar Berlusconi’. E gjithë familja ime, duke ngrënë darkë, më pa dhe filloi të qeshte. Thanë: ‘Epo, kjo është e çmendur’. Por më pas i fola përsëri për të, dhe në fund ajo më tha: ‘Është një burrë që mund të ishte babai yt, bëj kujdes me atë që bën’.”

Kur ata u lidhën në vitin 2010, Berlusconi ishte 74 vjeç, ndërsa Francesca 25. Por diferenca në moshë nuk ka qenë kurrë problem për të:

“Mua më pëlqejnë njerëzit më të mëdhenj se unë. Para Presidentit, kam pasur një lidhje me një grua shumë më të madhe. Unë isha 19 vjeç, ajo ishte 60. Betohem! Nuk kam pasur kurrë një të dashur të ri, kurrë në jetën time.”

gaztatema.net