Investigimi/ Pas “sindromës misterioze” të Havanës qëndron shërbimi sekret rus
“Sindroma misterioze e Havanës” që ka prekur qindra diplomatë dhe spiunë amerikanë në mbarë botën mund të jetë shkaktuar nga “armë akustike” specifike me të cilat është furnizuar njësia e sabotimit e inteligjencës ushtarake ruse (GRU). Kështu raporton “The Insider”, një grup gazetarësh investigativë me fokus Rusinë me seli në Letoni. Ata kryen një investigim që zgjati 5 vjet, mbi sëmundjen e mistershme duke arritur në rezultate që hedhin poshtë hipotezat e Pentagonit. Në krahun tjetër edhe Moska, i konsideron këto akuza të pabaza. Por, së pari, çfarë është “sindroma e Havanës” dhe çfarë efektesh ka tek të prekurit?
Ky është një çrregullim shëndetësor, i raportuar për herë të parë nga disa zyrtarë të ambasadës amerikane në Havana, kryeqyteti i Kubës, në vitin 2016, dhe për këtë arsye, ai referohet zakonisht si “sindroma Havana”. Shenjat janë migrenë, të përziera, dobësi të kujtesës dhe marramendje. Kjo sepse “Sindroma e Havanës” është një armë misterioze e bazuar në ultratinguj që shkakton dëmtime të trurit dhe lëndime serioze të përhershme.
Sa i përket rastit të parë të vitit 2016, kur disa diplomatë amerikanë që ndodheshin në Havanë raportuan se ishin sëmurë pasi dëgjonin tinguj shurdhues gjatë natës, lindën dyshime se mund të bëhej fjalë për një sulm të kryer nga një subjekt i huaj me ndihmën e një armë sonare të paspecifikuar.
Simptoma të tjera si gjakderdhja nga hunda, dhimbje koke dhe probleme me shikimin u raportuan më vonë edhe nga stafi i ambasadave amerikane në Kinë, Evropë dhe Uashington. Sipas investigimit të fundit, diplomatët amerikanë mund të jenë shënjestruar me armë zanore ruse. Hetimi “zbuloi prova që sugjerojnë se incidentet mjekësore anormale të pashpjegueshme, të njohura si “Sindroma e Havanës”, mund të kenë origjinën e tyre në përdorimin e armëve me energji të drejtuar nga anëtarët e Njësisë Ruse “GRU 29155”, – është përfundimi i investigimit gazetaresk.
Grupi investigativ “The Insider” dhe gazeta gjermane “Der Spiegel” i prezantuan gjetjet e tyre në programin “60 minuta” të televizionit amerikan CBS. Të gjitha rezultatet të çonin në Moskë, në njësinë e inteligjencës “29155”. Zbulimet e reja kundërshtojnë hetimin e mëparshëm të kryer nga Pentagoni për fenomenin misterioz që përfundoi në vitin 2023 sipas të cilit ishte “shumë e pamundur” që një fuqi e huaj të qëndronte pas armës së supozuar të padukshme.
“The Insider” ka zbuluar se anëtarët rusë të njësisë GRU të njohur si “29155” kanë qenë të pranishëm në disa nga vendet ku ndodhën rastet e “Sindromës Havana”. “Kishte vazhdimisht një lidhje me Rusinë, kishte një pikë ku të gjithë kishin punuar kundër Rusisë, ose ishin fokusuar te Rusia, dhe e kishin bërë jashtëzakonisht mirë” – thekson hetimi.
Këto përfundime konfirmohen edhe Mark Zaid, një avokat që përfaqëson mbi 20 viktima të Sindromës, duke përfshirë anëtarë të CIA-s, FBI-së dhe Departamentit të Shtetit, të cilët kanë raportuar simptoma të ndryshme të sindromës: migrenë, nauze, marramendje, humbje kujtese, të vjellja, shikim të paqartë, zhurmë në vesh, humbje dëgjimi dhe vështirësi në të folur. “E vetmja gjë e përbashkët mes shumicës, nëse jo të gjithë, klientëve të mi, përveç anëtarëve të familjes të lidhur me punonjësin, ishte se ata të gjithë po bënin diçka që lidhej me Rusinë,” – thotë ai. Për më tepër, hetimi raporton sulme të tjera të mundshme që në vitin 2014 në konsullatën amerikane në Frankfurt.
“Fatkeqësisht, nuk mund të jem më konkret, sepse është material i klasifikuar. Por mund t’ju them se që në fazat e hershme fillova të shihja në drejtim të Moskës” – thotë Greg Edgreen, një nga hetuesit që ishte autor i hetimit të parë, ish-oficer amerikan që shërbeu në Pentagon.
Edgreen kujton gjithashtu se barra e provës për fajtorët arriti në nivele shumë të larta dhe në vitin 2023 nuk u arrit asnjë përfundim. SHBA nuk donte të përballej me të vërteta të pakëndshme. Sipas hetimit të Insider, çelësi i lidhjes me inteligjencën ruse do të ishte Vitaly Kovalev, një kuzhinier rus i arrestuar për drejtim të rrezikshëm të një makinë në Florida në vitin 2020 dhe që ishte i njohur si spiun rus, sipas asaj që u zbulua nga një agjente e FBI-së, e quajtur Carrie, i cili ishte viktimë e armës misterioze “sonike”. Një pajisje e aftë për të fshirë të dhënat e kompjuterizuara të automjetit, përfshirë gjurmimin GPS, u gjet gjithashtu në makinën e kuzhinierit rus. Kovalev, i cili kishte studiuar në një institut ushtarak, duke mësuar nocionet e radio-elektronikës dhe që befas u bë kuzhinier në Nju Jork dhe Uashington, u kthye në Rusi pas 30 muajsh burg dhe vdiq zyrtarisht në front në Ukrainë.
Një lidhje me spiunazhin rus u gjet edhe nga gazetari investigativ rus i Insider, Christo Grozev, gazetar bullgar i grupit investigativ Bellingcat dhe mik i Alexei Navalny (që vdiq në burg shkurtin e kaluar), i intervistuar gjithashtu nga emisioni “60 minuta”. “Një teori është se Kovalev u dërgua në front për t’u eliminuar” – tha Grozev.
Emri tjetër është ai i Albert Averyanov, djalit të komandantit të njësisë 29155, i cili ka qenë i pranishëm në vitin 2021 në Tbilisi të Gjeorgjisë, që përkon me simptomat e vuajtura nga një diplomat amerikan dhe familja e tij. 29155 është një njësi sekrete e lartë e shërbimit sekret ushtarak rus, që vepron për rreth 10 vjet dhe e specializuar në përmbysje qeverish, sabotime dhe atentate, përfshirë edhe në Evropë.
Akuzat ndaj inteligjencës ruse për të ashtuquajturën “Sindroma e Havanës” janë të pabazuara” – tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për agjencinë ruse të lajmeve Tass, duke komentuar hetimin mbi këtë temë. “Ju e dini se kjo nuk është një temë aspak e re. Tema e të ashtuquajturës sindroma e Havanës është diskutuar në shtyp për shumë vite. Dhe shumë shpesh, që në fillim ishte e lidhur me akuza kundër Rusisë, por askush nuk ka publikuar apo shprehur një konfirmim bindës të këtyre akuzave të pabaza. E gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një akuzë e pabazë, një akuzë e pabazë nga mediat” – tha ai. ©The Insider. LAPSI.al