Inva Mula zbulon detaje nga edicioni i 6-të i “MIK Festival”!

Sopranoja e njohur me famë botërore, Inva Mula, ka qenë e ftuar këtë të enjte në programin “Dita Jonë” në A2 CNN, ku ndër të tjera ka folur për “MIK Festival”.

“MIK Festival” nis siparin e edicionit të tij të 6-të më 28 korrik dhe për këtë sopranoja shprehet shumë e lumtur. Inva tregoi se festivali do të zgjasë 3 ditë dhe do të organizohen 6 koncerte të plota.

“MIK Festival” nis me një homazh për një figurë të madhe të artit shqiptar, Jorgjia Truja. “Duam që brezat të njohin figurat e mëdha që kanë lënë gjurmë ndër vite”, u shpreh Mula.

E pyetur se pse ka vendosur që këtë festival ta zhvillojë në qytetin e Korçës, Inva u shpreh se në këtë qytet pati shkëndijën e parë. Teksa shijonte një mbrëmje korçare, ku njerëzit shijonin muzikën dhe kërcenin, i lindi ideja se Korça kishte nevojë për një festival internacional.

“Krijohet një atmosferë shumë e bukur. Është një festival gjithëpërfshirës”, tha sopranoja e njohur.

Gjatë bisedës në studio Inva foli edhe për aktivitetin që do të zhvillohet në tetor me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Britani. Një kontribut të çmuar në fillim të këtyre marrëdhënieve ka patur koloneli Aubrey Herbert, i cili ka mbrojtur kauzat shqiptare dhe ka ndihmuar shqiptarët pa asnjë interes.

Bordo