Inva Mula në post drejtues

Inva-Mula-2

‘Festivali i Këngës në RTSH’ premton surpriza të shumta dhe risi. Pak kohë më parë u zbuluan të gjithë emrat e njohur që do të rikthehen pas shumë vitesh për të provuar edhe njëherë emocionet e skenës në festivalin e fundvitit. Përveç këngëtarëve më të njohur, ‘Festivali i 57-të i Këngës’ këtë vit do të drejtohet nga artistët më të mirë të muzikës dhe regjisë në vend. Në një konferencë për shtyp drejtori i festivalit, Martin Leka, ka pohuar se është një lajm shumë i rëndësishëm përfshirja e Inva Mulës si drejtoreshë artistike në ‘Festivalin e Këngës’, sepse është e sigurt që sopranoja do të sjellë një eksperiencë dhe një frymë të re.

Në realizimin e këtij edicioni është dhe Sokol Marsi si producent muzikor dhe vëllezërit Pandi dhe Bledar Laço si skenarist dhe regjisor.Drejtuesit kanë premtuar se këtë vit do t’i kushtojnë më shumë rëndësi rinisë, që ta dojë më shumë festivalin dhe këngët e tij. Për të rikthyer këtë dëshirë tek moshat e reja, do të krijohet një grup me maturantët më të mirë nga gjimnazet e Tiranës, të cilët do të ndjekin festivalin nga afër dhe do të formojnë një juri ekstra, përveç asaj profesioniste, për të zgjedhur këngën më të mirë sipas tyre. 22 këngët pjesëmarrëse do të prezantohen në dy netë. Në të parën këngëtarët do të këndojnë të shoqëruar nga ‘Orkestra Simfonike’ dhe e dyta do të quhet ‘Nata e Performancave’, sepse këngëtarët këtë herë do të jenë pa orkestër, njësoj si në ‘Eurovision’.

Gjithashtu këtë vit, këngët nuk do të prezantohen më parë me videoklip, sepse duke qenë se janë si konkurruese në festival, për herë të parë duhet të shfaqen aty që publiku të mos humbas interesin për to./Who