Inva Mula dhe Kledi Kadiu pushime luksoze në të njëjtin vend, aventurë dhe qejf me vajzat në shkretëtirën e Saharasë

Sopranoja Inva Mula dhe balerini me famë në Itali, Kledi Kadiu, sikur ta kishin lënë me fjalë këtë fillimvit destinacionin që kanë zgjedhur për t’u arratisur me vajzat e tyre, për disa ditë pushime luksoze.

Të dy artistët shihen tek argëtohen në shkretëtirën e Saharasë, me vajzat e tyre, Inva me Ninën 10-vjeçare, dhe Kledi me Lean 5-vjeçare.

Foton e Invës në fakt e ka postuar në rrjete sociale partneri i saj Hetem Ramadani, ku shihet Inva dhe Nina sipër një makine duke pozuar.

Ndërsa Kledi i ka postuar vetë fotot e arratisjes me vajzën e tij, pasi bashkëshortja duket se ka qëndruar në shtëpi me djalin e tyre të porsaardhur në jetë, Gabriel. Po si po shkon jeta martesore e secilit, Invës në Tiranë dhe Kledit në Romë?

INVA DHE JETA ME HETEMIN PAS KRIZËS BASHKËSHORTORE

Sa i përket Invës, duket se e ka kapërcyer krizën e përfoluar me Hetemin, duke qëndruar si familje bashkë me vajzën e tyre. Kujtojmë që dalja e tyre e parë në publik, pas një viti që u përfolën për krizë bashkëshortore, ishte me rastin e vitit jubilar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, që mblodhi në Romë emrat më të suksesshëm të artit shqiptar në botë.

Pas kthimit në Shqipëri me produksionin “Virtuozët” në “Tv Klan”, Inva u angazhua në televizion si drejtore artistike e Festivalit të 57-të të Këngës në RTSH, gjatë punës për të cilin pësoi një problem shëndetësor që e tejkaloi me sukses.

Ndërsa biznesmeni i komentuar për pasurinë e tij, përveç seancave të meditimit që ofron për të interesuarit, ka dhe klinikën e tij të mjekësisë alternative, ku ndjek dhe kuron pacientët pa nevojën e ilaçeve.

Hetem Ramadani, një nga shqiptarët më të pasur në botë, njihet si themeluesi i kompanisë tregtare të naftës “Salbatring Internation al”, pasi emigroi në vitet ’90-të në Slloveni. Nisja nga e para me angazhime të reja në biznes e çiftit që janë bashkë prej kohësh, erdhi para disa vitesh, kur edhe vendosja në Tiranë e Invës u shoqërua me thashethemet për krizë bashkëshortore.

Para se të çelte sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me “Peshkatarët e Perlave”, edhe me rolin e regjisores, ajo sqaroi zërat në lidhje me një ftohje të marrëdhënies me bashkëshortin Hetem Ramadani dhe një divorci të mundshëm.

“Ç’do të thotë të jesh gruaja e një pasaniku?” është pyetja që ndodh t’ia bëjnë shpesh Invës që kur vendosi të jetë në krah të Hetem Ramadanit, me të cilin ka një vajzë.

Në një intervistë televizive, Mula ndau me publikun copëza nga jeta e saj profesionale, marrëdhëniet me fëmijët, por edhe për bashkëshortin, Ramadanin. Kur u pyet nga moderatorja e emisionit lidhur me një kuriozitet të publikut për faktin se si është të jesh gruaja e një njeriu të pasur, Inva tha se është shumë e pavarur financiarisht.

“Sigurisht, është një komoditet. Por Inva është shumë e pavarur, edhe financiarisht. Pasi kam arritur që të mbaj familjen dhe kam arritur që të krijoj një standard për të rritur fëmijët e mi dhe për të jetuar normalisht. Pjesa tjetër që bën pjesë në ekzagjerimet apo udhëtimet pa sens, apo veshjet, për mua nuk kanë asnjë vlerë. S’e kam parë asnjëherë synim të qenurit bashkëshorte e një njeriu të pasur. Por ama, pas një njeriu të pasur financiarisht, fshihet një njeri i pasur intelektualisht. Për mua, kjo ka rëndësi. Për arsye se ajo pjesa e luksit mbaron shumë shpejt. Është një fishekzjarr që ka ndriçim të bukur, por nuk ka vlerë për të ushqyer inspirimin tim si artiste”, citohet të jetë shprehur sopranoja.

KLEDI, FËMIJË DHE STABILITET ME PARTNEREN 18 VITE MË TË RE

Kurse balerini i njohur shqiptar Kledi Kadiu duket se s’ka kaluar asnjë krizë me bashkëshorten e tij franceze 18 vite më të re, Charlotte Lazzari. Ata së fundi janë bërë prindër për herë të dytë, kësaj here të një djali. Lajmin emocionues e zbuloi vetë Kledi, i cili tregoi edhe emrin që kanë përzgjedhur për vogëlushin, Gabriel.

Ai publikoi në llogarinë e tij në “Instagram” një foto të dorës së Gabrielit të porsalindur, krahas së cilës shënoi emrin dhe datën e lindjes, duke ndarë kështu me të gjithë ndjekësit çastin e parë të ardhjes në jetë të fëmijës.

Gabriel është bekimi i dytë i familjes Kadiu, pas Lea-s, e cila erdhi në jetë pesë vite më parë. Në prill të vitit të kaluar, balerini shqiptar Kledi Kadiu dhe bashkëshortja e tij, Charlotte Lazzari, zbuluan se do të bëheshin prindër për herë të dytë.

“Familja jonë do zgjerohet. Në gusht do vijë një gëzim i ri. Jemi jashtëzakonisht të lumtur”, shkruante Kledi dhe pas saj, Lea zbuloi gjininë e fëmijës që do të vinte së shpejti në jetë. Katër vite më parë, ai kurorëzoi dashurinë e tij disavjeçare me matesë. 47-vjeçari prej kohësh ishte në një marrëdhënie me Charlotte.

Vetë Kledi nuk bëri asnjë postim nga ceremonia VIP e dasmës private, që u zhvillua buzë liqenit të Braçianos në Itali. Disa foto i postoi në “Instagram” miku i tij i ngushtë, balerini me famë në Itali, Ilir Shaqiri, që tashmë është një nga lojtarët pretendentë të “Big Brother VIP”.

Anbeta Toromani, Dorian Grori, balerina italiane Rosella Brescia, e shumë të tjerë ishin pjesë e dasmës së mikut të tyre, një ceremoni plot finesë dhe elegancë, siç i ka hije një personazhi të famshëm të televizionit italian.

Tashmë, si prindër të një vajze e një djali, profesori i “Amici-t” dhe Charlotte, i gëzohen familjes katër vite pasi u ngjitën në altar për të celebruar dashurinë që u bekua me fëmijë vetëm pas 14 muajsh lidhje. Rrëfimin e parë për Charlotte, balerini e dha për revistën “Settimanale Nuovo” ku u shpreh: “E ndiej që është histori e rëndësishme për mua dhe po kuptoj se jeta në çift më pëlqen”.

Sa i takon mënyrës së njohjes, Kledi tha: “Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Unë me Charlotte kishim vetëm 1 vit e 2 muaj bashkë, por gjërat ndodhin kur i ndjen”.

Ai tha gjithashtu se gjendja e mirë shpirtërore që ata si çift kishin, bëri që gjërat të ndodhin në këtë mënyrë. Po kush është Charlotte, vajza që i mbushi mendjen Kledit të martohej dhe që ai e zgjodhi për nënën e fëmijëve të tij?

Ajo është balerinë profesioniste me nënë franceze dhe baba roman. Është 29 vjeçe vjeçe dhe u njoh me Kledin në një takim të rastësishëm me miqtë e tyre të përbashkët. Më vonë, në një intervistë duke folur për ndjesinë e babait, Kledi deklaroi se edhe pse janë një çift balerinësh, ai tha se s’do t’i pëlqente që në një të ardhme e bija të bëhej balerinë, edhe pse me shaka tha se ajo më shumë i ngjan atij sesa nënës.

“Nuk dua të bëhet balerinë, por nuk kam dot një përgjigje se çfarë do të bëhet kur të rritet”. “Mbarova detyrat e mia dhe tani mund t’i dedikohem me mish e me shpirt punës më të bukur, asaj të të qenit baba. Tani dua të shijoj këtë lumturi, që është më e madhja, që mund të provojë njeriu”, deklaroi në atë kohë Kledi për fansat e tij pak orë pasi erdhi në jetë Lea.

Po cila është jeta e balerinit në Itali, ndërsa cilësohet si profesori i rreptë i “Amici”-t? Përveç famës së madhe që ka arritur atje, Kledi jeton në Romë në zonën më të shtrenjtë (Trastevere).

Më parë në këtë shtëpi të veçantë ai jetonte vetëm si djalë beqar që ishte, por shumë shpejt nisi bashkëjetesën me Charlotte, me të cilën filluan një histori të bukur dashurie. Kledi dhe balerina i thanë “Po” dashurisë së tyre në një ceremoni përrallore që u mbajt në Itali në qershor të vitit 2018.

/Panoramaplus.al