Intervistë/ Johnny Depp: Kam lindur në epokën e gabuar

Rikthehet sërish në qendër të vëmendjes, duke celebruar 99 role në kinema dhe 10 vite imazh i Christian Dior, ndërsa e mbush kohën me pikturë dhe muzikë…, sepse energjia dhe talenti i tij janë të pavdekshëm.

Ai arrin në takim me 15 minuta vonesë. Johnny Depp mban një beretë që i anohet në kokë, syze të vogla me xhama lejla, ndërsa një bluzë rozë dallohet përmes këmishës së hapur. Në duar bien në sy byzylykë, rripa lëkure dhe unaza. Ka një zë që rrjedh ngadalë, me një teksturë të ngrohtë dhe të thellë. Krahët i ka të mbushura me tatuazhe, çka reflekton një epokë ku ka jetuar nën ritmin e brezin e rock’n’rollit. Duket që Depp është në gjendje të mirë shpirtërore dhe ky është vërtet një fillim i mbarë. Humori i tij të kujton Jack Sparrow, ndaj edhe 29 milionë ndjekësit e tij në IG mezi po presin me padurim pjesën e gjashtë të “Pirates of the Caribbean”. Fokusi i momentit në rolin e regjisorit, janë xhirimet e sapo përfunduara të filmit “Modi”, i cili tregon aventurat e piktorit Amadeo Modigliani.

Nga filmi i tij i parë, “Nightmare on Elm Street” në 1984 deri te “Jeanne du Barry” në 2023, aktori ka luajtur 99 filma përgjatë katër dekadave. Shumë role dhe personazhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinemasë, por së shpejti ai do të rishfaqet në ekran si Lucifer në filmin “The Man Who Killed Don”, duke rrumbullakosur plot 100 filma në karrierën e tij.

Sivjet ka kurorëzuar dhjetë vjet bashkëpunim me Christian Dior, duke nënshkruar një kontratë të re. Shitjet nuk kanë rënë kurrë, përkundrazi, ndaj parfumeri Francis Kurkdjian, sapo ka krijuar një tjetër parfum për Depp. Bashkëpunimi me Dior nisi falë ish-gruas, Vanessa Paradis dhe sot Sauvage është aroma më e shitur në botë! Ai beson se ky parfum i kujton një kohë tjetër dhe aroma e tij e çon në Parisin e viteve 1920.

A zë Parisi një vend të veçantë në zemrën tuaj?

Oh, po! Është ende e pabesueshme: kultura, njerëzit e saj, cilësia e jetës. Njerëzit jetojnë aty, nuk ekzistojnë vetëm. Parisi, dhe vetë Franca, është një planet tjetër. Miliona vjet më parë, kur e takova, isha shumë i ri dhe libri i Hemingway-t “A Moveable Feast”, flet për jetën time atje. E dija që Parisi ishte brenda meje. Disa vite më vonë, ai u bë qyteti magjik kur Vanessa dhe unë u shpërngulëm dhe patëm vajzën tonë të parë Lily-Rose. Ato ishin dhe janë ende ditët më të bukura të jetës sime”.

Çfarë ju tërhoqi në historinë e piktorit Modigliani?

Unë kam qenë gjithmonë i magjepsur nga Modigliani. Më interesojnë qeniet njerëzore, nga vjen impulsi, ambicia që i shtyn të pikturojnë.

A është ky një film biografi?

Jo. Janë vetëm tri ditë në jetën e Modigliani, duke shfaqur një seri ngjarjesh kaotike nëpër rrugët dhe baret e Parisit gjatë Luftës së Parë Botërore, ku ai shfaqet me shokët e tij bohemë, bashkë me muzën dhe të dashurën e tij, Beatrice Hastings.

Si u përfshi Al Pacino në Modi?

Gjatë xhirimeve të “Donnie Brasco” me Al, folëm për këtë projekt. Ai donte të luaja Modi, por katër vjet më vonë, më telefonoi dhe tha, “Hej John, a të kujtohet ideja e Modiglianit? Ti duhet ta bësh atë. E di që mundesh”.

Pas “The Brave” në 1997, ky është filmi juaj i dytë si regjisor. Si është regjia për ju?

Nuk e di nëse mendoj apo jo si regjisor, por më pëlqen të vëzhgoj njerëzit, sjelljen e tyre. Më pëlqen t’i bëj aktorët të më besojnë dhe unë t’u besoj atyre. Regjia është si një dallgë dhe njësoj si filmi, të tregon çfarë dëshiron dhe ku dëshiron të shkosh.

Modigliani kurrë nuk i ka pikturuar sytë. A mendoni se kjo është për shkak të aftësisë së tyre për të zbuluar shpirtin?

Do të doja ta dija së pari, çfarë është shpirti! Besoj se ka patur një arsye shumë të rëndësishme. Dikur vizatoja veten me një sy dhe më vonë mora vesh se kam lindur pa mundur të shoh me syrin e majtë, përveç dritës dhe formave. Një herë po pikturoja një foto të nënës sime kur ishte rreth 16 vjeçe – kur u afrova, po e shihja në sy dhe në kokën time vazhdoja të shihja vështrimin e nënës sime. Në fund, piktura përfundoi pa sy. Duhet të jetë diçka e ngjashme edhe për Modiglianin; ndoshta nuk e donte shpirtin!

A është arti një arratisje nga bota për ju?

Nëse dikush e sheh kështu, shkëlqyeshëm, por unë refuzoj ta konsideroj veten artist, edhe pse aplikoj të njëjtën qasje.

A keni një këngë që mund të shprehë mendimet tuaja?

Më duhet të zgjedh tre: Saint-Germain nga Vanessa, Jackadi nga Vanessa dhe Bliss nga Vanessa. Ato përfshijnë ndryshimin e duhur në ekzistencën time, në jetën tonë, sjelljen e fëmijëve tanë në botë dhe më pas mësimet që morëm prej tyre. Duket sikur ti ke shkuar për të fjetur dhe kur u zgjove ata ishin 3 vjeç, dhe kur u zgjuat sërish ata ishin 25 (Lily-Rose) dhe 22 (Jack). Ata janë gjëja më e mirë, më sublime dhe abstrakte që kam patur në jetë, ata janë forca ime lëvizëse. Ndaj këto tri këngë do të duhej të ishin së bashku.

Çfarë tjetër dëgjon në gramafonin tuaj?

Kënga ime e preferuar që kur isha fëmijë ishte Le Mer nga Charles Trenet ose versioni i Bobby Darin – Beyond The Sea. E preferuar për mua mbetet tema romantike, është kaq e bukur, e fuqishme dhe magjike. Gjithashtu kam një admirim të madh për David Bowie, për yjet dhe talentet e njohur nga Jay-Z te Mumford & Sons, Robert Johnson ose Captain Beefheart…! Shija ime për muzikën është shumë e larmishme.

A vazhdoni të shkruani ende si dikur?

Nuk mund të dal nga shtëpia pa një stilolaps dhe letër. Nuk mund të shkruaj në kompjuter, kështu që e bëj me dorë ose përdor një makinë shkrimi me dy gishta.

Si arrini të jeni gjithmonë në humor?

Jeta është shumë e shkurtër për t’u ndjerë i mërzitur. Për t’i dhënë shembull tjetrit, në fillim ju duhet ta doni atë, ta bëni të qeshë. Vitet e fundit kam humbur shumë për shkak të gjërave që më kanë ndodhur. Por, ajo që kam kaluar më ka kthyer te miqtë e dashur, ata arritën të më kthenin te vetja dhe sensi im i humorit. Nëse ju nuk qeshni me veten, dikush tjetër me siguri do ta bëjë! (qesh).

Çfarë ka në faqen e fundit të ditarit?

Nuk dua të jetoj në këto kohë, ndaj përpiqem të rimodeloj një epokë tjetër. Nuk më pëlqen moderniteti; Nuk i duroj dot kompjuterët. Dobësia ime është një stilolaps i mirë që nuk njollos. Ndoshta kam lindur në epokën e gabuar.

Botuar në revistën “Bordo” print, nëntor 2024