‘Intervistë ekskluzive’ me Michael Schumacher, revista gjermane kritikohet ashpër
Një revistë gjermane është kritikuar dhe cilësuar si ‘idiote’ pasi promovoi një ‘intervistë ekskluzive’ me Michael Schumacher në coveri-n e saj të fundit. Më vonë u zbulua se citimet e rreme u krijuan nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.
Schumacher pati një aksident me ski në dhjetor 2013 dhe u fut në gjendje kome. Që atëherë ai nuk është shfaqur publikisht.
Ish-piloti i Formula 1, i cili fitoi shtatë kampionate botërore, është në kujdesin e një ekipi mjekësor dhe gruas së tij.
Në fund të artikullit, revista pranon se citimet janë të rreme dhe se nuk ka folur me Schumacher apo dikë nga familja e tij:
“Intervista ishte online, në një faqe që ka të bëjë me inteligjencën artificiale”.
Menjëherë, fansat dhe ekspertët e komunikimit dënuan artikullin, duke e cilësuar “të turpshëm”.
Gruaja e tij, Corinna Schumacher, kurrë nuk ka dhënë detaje për situatën e kampionit legjendar, por në një dokumentar për të, në vitin 2022, tha:
“Michael është këtu. I ndryshuar, por këtu. Kjo gjë na jep forcë. Jemi bashkë të gjithë, jetojmë bashkë të gjithë.”