Intervistat e rralla “hit” të Luiz Ejllit/ Ja çfarë thoshte për dashurinë dhe martesën, fenomeni i “Big Brother VIP”!

Nga Klotilda Harka

Luiz Ejlli është fenomeni i  padiskutueshëm i këtij “Big Brother Vip 2”, duke u bërë protagonisti që ka rrëmbyer zemrat e publikut jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Ajo çfarë bën përshtypje është inteligjenca e tij për ta luajtur këtë lojë në të gjitha mënyrat, shtoi kësaj edhe shpirtin e ndjeshëm të një artisti të vërtetë. Por si përgjigjej Luizi si këngëtar, para “epokës” së tij të “Big Brother VIP”, në dy faza të ndryshme të jetës, 28 dhe 32 vjeç, i zbuloni në këto dy intervista të rralla, dhënë gazetares Klotilda Harka, të publikuara në gazetën “Panorama”.  Për të zbuluar më shumë rreth muzikës, famës, dashurisë dhe konceptit të tij për projektimin e familjes, i zbuloni në këto rrëfime të bukura të tij.  Bashkë me famën e Luiz Ejllit, ja si rikthehen në vëmendje dy intervistat “hit” të Luiz Ejllit me gazetaren e njohur Klotilda Harka, e para në vitin 2013 dhe e dyta në vitin 2017 duke bërë xhiron e mediave:

Intervista e plotë e Luiz Ejllit për Klotilda Harka, në dhjetor të vitit 2013:

Rikthehesh në Festivalin e Këngës në RTSH me një baladë. Pse e bëre këtë zgjedhje, kur dihet që në Eurovizion të çoi një këngë ritmike si ajo me titull “Zjarr e ftohtë”?

Po, në fakt, kjo është hera e katërt që marr pjesë si konkurrent në Festivalin e Këngës në RTSH. Për herë të parë në vitin 2004 konkurrova me këngë ritmike, dhe u vlerësova me çmim të dytë. Në vitin 2005 më këngë gjithashtu ritmike fitova çmim të parë, për të vazhduar me një duet baladë në vitin 2009, dhe ja ku jam sërish me baladë, pasi ndihem mirë me të. Dhe pikërisht kjo është arsyeja, pasi kjo gjini muzikore më qëndron shumë mirë, ndihem  më i sigurt dhe komod në skenë. Më e rëndësishmja është se baladat më lejojnë të shprehem më mirë emocionalisht.

Ke ambicie për të fituar sërish dhe mos ndoshta balada është një zgjedhje strategjike për të prekur ndryshe skenën e Eurosongut kësaj here?

Arsyeja kryesore është se u ndjeva mirë më këtë këngë me muzikë të Marjan Dedës dhe vargje të Sokol Marsit. E duke iu përgjigjur pyetjes që më bëni, mund të them se në fakt do të ishte modesti e tepruar t’ju thosha që s’kam ambicie për të fituar, pavarësisht se jam ngjitur një herë në skenë e Eurosongut në vitin 2006. Por jo vetëm unë kam ambicie për fitore, pasi mendoj se çdo këngëtar që hyn në një garë muzikore, hyn për të fituar. Ky është konkurrim dhe natyrisht që të gjithë e lakmojmë çmimin. Për këtë askush nuk mund të dalë e të më kundërshtojë. Nëse do donim të bënim këngë për qejf, atëherë ka një mënyrë tjetër, është ajo e të bërit videoklip.

Por gjithmonë ka qejf mbetje pas shpalljes së fituesit. Ti zakonisht si ndihesh kur del nga një garë pa kupën e lakmuar? 

Po ka qejf mbetje, se pavarësisht kush fiton, nuk do të thotë  se fituesi është gjithmonë më i miri dhe që ka këngën më të mirë. Ka shumë elemente të tjera që e bëjnë një fitore absolute. Në këtë gjykim fus edhe veten time, se kam provuar të fitoj çmim të dytë dhe të parë.

I ke dëgjuar këngët e tjera, cilët këngëtarë veçon për fitoren?

Po i kam dëgjuar dhe do të veçoja mes tyre këngët e Frederik Ndocit, Hersi Mahmujës, Rezarta Smajës,  Venerës dhe Lindit.

Ajo që na ka bërë përshtypje, ka qenë prania e Jozefina Topallit, mamasë së të dashurës sate, Megit, në çdo konkurrim tëndin. Tashmë që Jozefina nuk është më në pushtet, si ka ndryshuar ajo në raportin personal me ty?

Në raport me mua mund të them se është e njëjta, edhe për faktin se kur unë e kam njohur Jozefinën, ka qenë në opozitë, pastaj kaloi në pozitë dhe sërish tani në opozitë, është njësoj. Se çfarë bën me profesionin është puna e saj. Unë di të them se në shtëpi ajo është një bashkëshorte dhe nënë vërtet shumë e devotshme. Po ashtu dhe me mua.

Si ndihesh kur të quajnë “dhëndri i Jozefinës”, të pëlqen apo të bezdis ky fakt?

Natyrisht që më bezdis, pasi realisht nuk mund të quhem dhëndri, sepse nuk jam as i fejuar dhe as i martuar. Normalisht nuk ka asgjë të keqe dhe nuk jam kundër të qenët dhëndër, se tregon që je pjekur e maturuar, por deri tani ende jo. Dua të sqaroj këtu se afrimiteti me familjen e Megit nuk ka ndodhur pasi u njoha me Megin. Nuk është se u njoha me këtë vajzë dhe u afrova me familjen e saj. Ne jemi njohur shumë më parë me familjen e saj, kemi pasur miqësi familjare, pasi në Shkodër të gjithë janë afër njëri-tjetrit.

Keni shtatë vite bashkë me Megin, keni provuar të bashkëjetoni?

Po, ne bashkëjetojmë aktualisht.

Për vitin 2014 keni planifikuar një ceremoni martese?

Nuk është se e kemi hapur si temë “fejesën’, por po ashtu nuk është se nuk e ndiejmë. Unë dhe ajo në vetvete i kemi kaluar të gjitha etapat e lidhjes, kemi kaluar bashkë shumë gjëra, dhe ceremonia thjesht do jetë një shenjë, pasi asgjë nuk do të ndryshojë tek ne dhe marrëdhënia jonë.

Ju pëlqejnë ceremonitë, si e keni menduar dasmën tuaj?

Na pëlqejnë realisht por do presim edhe pak, sepse Megi po ndjek studimet për doktoraturë dhe është mjaft e impenjuar. Di të them vetëm që kur të vendosim për ceremoni, do të jetë fejesë e martesë një e vetme. Por sërish kemi kohë mjaftueshëm për vendime të rëndësishme se jemi të rinj, unë 28 vjeç dhe Megi 24 vjeç.

E dashura është fanse apo kritike e muzikës që këndon ti?

Fanse dhe shumë kritike në të njëjtën kohë.

Po Jozefina çfarë shijesh muzikore ka, i ke dhuruar ndonjë CD me këngët e saj të preferuara? 

Si Megi, ashtu dhe Jozefina kanë shijet e mia në muzikë, pra pëlqejnë këngët e lehta dhe baladat, muzikë italiane e franceze. Do të veçoja si të preferuarat e Jozefinës këngëtarë, si; Mirel Matje, Adriano Celentano, Celine Dion, Whitney Houston, etj.

Natën e 31 dhjetorit do e kaloni të dy si çift apo në familjet e prindërve tuaj?

Besoj se do festojmë me familjen e Megit, pasi unë e kam familjen time jashtë dhe s’kam askënd këtu për të festuar. Do jetë një darkë familjare me ta, sepse qyteti i Shkodrës e ka në traditë që Krishtlindjet dhe Vitin e Ri të festohen në ambiente familjare.

Dilemat kur je mes dy pasionesh, muzikës dhe drejtësisë. Çfarë tip mashkulli je ti në këngën “Kthehu”?

Jam ai që ndihem shumë bosh, i vetmuar dhe që vuaj shumë. Por kam një shpresë se e dashura që kam humbur, një ditë do të kthehet sërish. Pra, ma ndien zemra dhe shoh një dritë.

Po në jetë do i kërkoje të kthehej dikujt që e do, pra e njeh përulësinë në çift?

Varet nga situata. Por, nëse jam unë fajtori e do pendohesha, do ia kërkoja. Edhe po ta kishte fajin ajo, sërish do ia kërkoja të kthehej nëse do më mungonte.

Më e thjeshtë është të ndahesh nga dikush apo ta mbash dikë pranë vetes?

Ndarja është shumë e thjeshtë, pasi me një fjalë mund t’i thuash dikujt “Vazhdo rrugën tënde!”. Jeta i ka të gjitha, ngatërresat, xhelozitë, mërzitë dhe pikërisht për këto është e bukur se të vë përballë provave, që duhet t’i kalosh.

Mes muzikës dhe drejtësisë, ku anon më shumë peshorja jote e së ardhmes?

Unë jam duke u marrë shumë me muzikë, duke punuar edhe për një album. Po ndërkohë kam mbaruar studimet për Drejtësi në Francë dhe shpejt do pozicionohem në profesionin e noterit apo avokatit.

Je aq rebel jashtë skene sa thuhet?

Jo, s’jam i tillë.

Më poshtë intervista e e dytë e plotë e Luiz Ejllit për gazetaren Klotilda Harka,  kësaj here në dhjetor të vitit 2017:

U fol se kishe hequr dorë nga muzika, por nuk vonoi dhe të shohim në këtë festival. Çfarë të bindi të rikthehesh?

S’e di ku është folur dhe se di kush e ka thënë, por gjithsesi unë s’kam hequr dorë kurrë e as kam ndërmend. Kënga është gjithçka për mua.

“Ra një yll” titullohet kënga me të cilën konkurron në Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH. Si u bëtë bashkë me Rezarta Smajën, mendon se jeni një kombinim perfekt i zërave dhe prezencës?

Ka qenë një dëshirë e imja në fakt të bëja një këngë me Edmond Zhulalin, dhe pas natës finale të festivalit të kaluar, pra, para një viti, ia kam propozuar Zhulalit që do të doja të këndoja një këngë të tijën. Ai më tha “po” dhe më tha do e bëjmë duet. Po mendonim për vajzën dhe na shkoi ndërmend për Rezartën. Unë kam qenë katër vjet në klasë me Rezartën në gjimnaz në Shkodër, njihemi që fëmijë dhe, mendoj dhe besoj se do paraqitemi denjësisht në festival. Perfekt nuk është askush, gjithsesi.

Për këtë garë konkurron me këngën e krijuar nga Edmond Zhulali me vargje të Agim Doçit. Cila është fabula e “Ra një yll”, dhe sa njësh më këngën je bërë shpirtërisht?

Kjo është pyetje që i duhet bërë Doçit, por gjithsesi ai yll që bie plot dritë, bie tek unë që jam i vetëm i rrethuar nga errësira, dhe do më ndriçojë udhën, shpirtin dhe gjithçka…

Ish-bashkëpunëtorja jote në “Kënga Magjike” Juliana Pasha ka ndarë në Instagram këngën e Eugent Bushpepës si të preferuar duke e cilësuar zërin më të mirë mashkullor, të cilin do që ta shohë në Eurovizion. Çfarë mund të thuash për këtë?

Secili ka të preferuarin e vet, por zëri më i bukur mashkullor është një titull që s’e besoj se i takon atij, as mua, se dhe tek “Kënga magjike” çuditërisht Anxhela & Elhaida në konkurrim për “Best female vocal” e fiton Anxhela, në një kohë që Elhaidën e vlerësoi Cocciante & Company si një super vokal. Gjithsesi, po thosha, që preferencat personale të secilit i respektoj 100%, po ashtu dhe të asaj në këtë rast.

Sa e fortë të duket kjo garë?

Konkurrenca është e fortë dhe kjo është gjë e mirë, sepse na bën të impenjohemi më shumë.

Tek Blogu i Eurosong kënga juaj është votuar si më e preferuara deri tani, pra kryeson e para. Si je ndjerë?

Është normale që është kënaqësi ta shikosh veten në vend të parë, por a do të jetë vallë vërtet kështu më datë 23 dhjetor?

Meqenëse këngët për herë të parë janë publikuar në Youtube, i ke dëgjuar të gjitha, dhe cilët do të veçoje si më të preferuarat?

Ne jemi në konkurrim me njëri-tjetrin, dhe është normale që unë kam të preferuarat e mia, por meqenëse nuk kam arritur akoma në nivelin e një anëtari jurie, nuk veçoj dot se cila është apo kush ka zërin më të bukur.

Kujtojmë që t’i ke përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2006 me këngën “Zjarr e ftohtë”. Është ngjitja në atë skenë për herë të dytë një ambicie e jotja?

Kam qenë 19 vjeç kur isha herën e parë, isha shumë i vogël dhe pa eksperiencë. Është një emocion i jashtëzakonshëm të jesh aty, veç ai që e provon e di. Do të doja shumë ta provoja prapë.

Muzikën e konsideron punë apo pasion, ka pasur raste që ke fituar shumë para si këngëtar?

Të dyja bashkë, është normale që puna më jep për të ngrënë, por kënga më kënaq shpirtin.

Kënga më e bukur e dashurisë që e dëgjon sa herë je vetëm?

“Non dirgli mai” (Gigi D’alessio)

Je tipi që të pëlqen martesa dhe familja, apo je artisti me shpirt të lirë për të cilin liria vlen më shumë se gjithçka?

Familja mbi gjithçka! /www.story.al