Intervista pa ‘doreza’ e ‘Njeriut më të lumtur në botë’, Ronaldinho: “Maldini mund të bëhet President i Italisë”

Në moshën 42-vjeçare, arritur më pak se një muaj më parë, buzëqeshja është gjithmonë e njëjta, solare, ngjitëse, e dikujt që pasi ka njohur mjerimin si fëmijë, ka arritur të përmbushë ëndrrën e tij më të madhe, të bëhet një futbollist profesionist. E për disa sezone Ronaldo de Assis Moreira, i njohur në mbarë botën si Ronaldinho, ishte futbollisti më i fortë i planetit, duke personifikuar për gjatë gjithë karrierës së tij të lavdishme shpirtin e pastër dhe fëmijëror të lojës së futbollit. Sepse Dinho, fitonte ose humbte, e bënte gjithmonë me një buzëqeshje në fytyrë, të njëjtën buzëqeshje që ua transmetoi në mënyrë infektive miliona tifozave që mund ta donin dhe admironin nga e gjithë bota. Ai djali i vogël i lindur dhe i rritur në periferitë e Vila Novas në Porto Alegre ka bërë një rrugë të gjatë, më të fortë se pengesat që i kishte rezervuar jeta dhe që edhe e kanë shpërblyer duke e bërë një idhull për breza fëmijësh dhe tifozësh.

E nisi nga Gremio, më pas kaloi në Evropë fillimisht me fanellën e PSG-së dhe më pas me atë të Barcelonës, pesë sezone në të cilat tregoi driblime, gola të çmendur dhe magji. Pasi mbaroi aventurën në Katalonjë, Ronaldinho luajti dy sezone e gjysmë me fanellën e Milanit: asnjë trofe në palmares, por shkëndijat e zakonshme të klasit të tij të jashtëzakonshëm. Sportmediaset.it e ka intervistuar ekskluzivisht me rastin e promovimit të dokumentarit për jetën e tij “Njeriu më i lumtur në botë – Ronaldinho” i disponueshëm në FIFA +. “Jam i lumtur të ndaj me të tjerët gjithçka që kam bërë në botën e futbollit. Shpresoj që filmi t’i pëlqejë njerëzve dhe të ketë sukses”, ishin fjalët e tij për projektin filmik kushtuar atij.

INTERVISTA

Vetëm 21 vjeç, u transferove nga Brazili në Evropë, fillimisht te PSG dhe më pas te Barcelona. Çfarë vështirësish ke hasur?
“Vështirësia e parë që pata sapo u largova nga Brazili për të ardhur në Evropë ishte kultura e ndryshme, një stil tjetër futbolli dhe më duhej pak kohë për t’u mësuar me të”.

Në dokumentar përfaqësohet shumë qartë marrëdhënia e shkëlqyer me Roberton, vëllain tënd, por edhe babanë, duke qenë se e ke humbur që në fëmijëri.
“Po, vëllai im kur unë humba babain, mbuloi rolin e tij. Për mua ishte perfekt, sepse vëllai im ka qenë gjithmonë idhulli im dhe unë pata fatin ta ndaja shtëpinë me idhullin tim. Ai ishte vëllai im. Idhulli im dhe miku im më i mirë, ka qenë gjithmonë themelor në jetën time”.

Brazili prezantohet në Kupën e Botës si numri 1 në renditjen e FIFA-s. A mund ta fitojë? Kush do të jetë ylli i Seleçaos?
“Unë mendoj se ka shumë shanse për ta fituar, sepse Brazili ka një ekip shumë të fortë, ata kanë qenë bashkë prej një kohë të gjatë, kanë një trajner shumë të mirë dhe kanë një nga lojtarët më të mirë në botë që është Neymar e që mund të bëjë diferencën. Besoj se ndihet mirë të luajë me Seleçaon, një skuadër që i jep mundësinë të luajë lirshëm dhe mendoj se do të mbërrijë në një moment të shkëlqyer në jetën dhe karrierën e tij që të mund të shkruajë historinë dhe të fitojë Kupën e Botës. Shpresoj që ta bëjnë këtë.”

Italia largohet nga Kupa e Botës për herë të dytë radhazi? Çfarë ideje krijuar?
“Është një surprizë shumë e madhe, një mëkat sepse Italia është gjithmonë Italia dhe diçka mungon në një Botëror pa Italinë, është vërtet mëkat”.

Çfarë kujtimesh keni nga përvoja juaj në Milano?
“Ishin dy vite shumë të mira. Ishte një ekip me lojtarë të mrekullueshëm, kështu që isha i lumtur të ndaja dhomën e zhveshjes dhe ndeshjet me të gjithë kampionët që kishte Milani”.

Paolo Maldini një kampion në fushë dhe tani një menaxher shumë i mirë. A e prisnit?
“Po, Paolo ishte një nga më të mëdhenjtë që kam parë ndonjëherë, kam luajtur kundër tij dhe kam luajtur së bashku. Unë jam një fans i madh i tij, ai mund të bëhet edhe President i Republikës. Ai është një fenomen.”

Milani është në garë të plotë për titullin. Mendoni se mund të jetë momenti i duhur?
“Mendoj se Milani është në rrugën e duhur, shpresoj se ata mund të fitojnë, të kthehen te suksesi pas një kohe të gjatë”.

Ibrahimovic ende luan në moshën 40-vjeçare. Çfarë mendoni ju?
“Ibra është fenomen. Në moshën e tij është më i mirë se shumë të rinj. Nëse do, mund të luajë deri në 50, sepse nuk i mungon cilësia dhe fizikisht është gjithmonë fenomen”.

Çfarë mendoni për Mbappé dhe Haaland? Kush ju pëlqen më shumë?
“Ju përmendët dy që më pëlqejnë më shumë, Haaland dhe Mbappé. Ata janë shumë të rinj dhe kanë një talent të madh, e gjithë bota po i admiron. Mbappé është një djalë i ri që më pëlqen ta shoh të luajë, ai po bën histori dhe mund të bëjë ende shumë”.