Intervista ekskluzive/ Ëndrra e një nate vere e Lei Krajës: Kam plan të krijoj familje dhe biznes!

Sharmi i saj flet vetë, por Lei Kraja është aq modeste sa të mos e konsiderojë veten të bukur sa një ikonë. Prezantuesja e lajmeve nga sporti me të folurën e veçantë si dëshmi e jetës që ka bërënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndodh që fotografohet në stadiume plot tifozë për të intervistuar futbollistët e famshëm. Për zhveshjet e para për këtë verë në plazh, dashurinë që ka në zemër, marrëdhënien me paranë dhe planet jashtë televizionit për të krijuar familje e biznes ajo flet në këtë intervistë ekskluzive për revistën Story. Me spontanitetin e vajzës së çlirët e mendjehapur, Lei zbulon më shumë bota e saj shpirtërore:

Lei-2
Këtë verë duket se e ke nisur sezonin e plazhit më parë nga të gjithë duke parë fotot e tua me bikini. Nisur nga linjat e bukura që ke, të zhvishesh është komoditeti më i madh për ty?
Nuk e konsideroj komoditet, por një pjesë më se normale të të shkuarit në plazh, dhe ekspozimi i hireve trupore aq sa është e nevojshme për një femër.
Ndjehesh e bekuar me pamjen, apo ndonjëherë mendon se bukuria është mallkim?
Realisht ndjehem e bekuar për shumë gjëra, por nuk mendoj që jam e bukur. Nëse do ishim bazuar thjesht tek pamja ime e jashtme do ishte fare e bukur. Unë konsideroj ikona të bukurisë, Angelina Jolie, Irina Shayk, Sophie Loren, Monica Belluci.Kurrësesi nuk e krahasoj veten me to!

Lei-3
Ç’emocion të japin futbollistët kur i interviston në fushë. E kupton që çorientohen kur të kanë ty përballë?
Unë jam e re në këtë fushë të profesionit si gazetare në televizion. Dhe nuk është se kam bërë shumë intervista me futbollistë. Por di të them që unë emocionohem shumë për shkak të përgjegjësisë që kam ndaj një kompanie prestigjioze si “Digitalb”. Pastaj futbollistët kur janë në fushë dhe në krye të detyrës nuk u hyn në sy asgjë. Janë profesionistë, kështu që nuk kanë shanse që të çorientohen.
Ju gazetaret e sportit gjithmonë u imagjinojnë çift me futbollistët. Ndodh që të të propozojnë sapo mbaron intervistën dhe si reagon?
(Qesh)Uaaa jo s’më ka ndodhur ndonjëherë. Ju thashë që puna është punë dhe merret shumë seriozisht nga të dyja palët. Nuk kam dëgjuar ndonjë rast të tillë.
Të jetosh në Tirane larg familjes është e vështirë? Me çfarë vështirësish je përballur?
Nuk është hera e parë që jetoj larg familjes, se kam jetuar dhe në New York. Dëgjoni jeta është e vështirë, por dhe e bukur. Tirana ka shumë gjëra të vështira. Por mund t’i përballoj! Mua më mungon vetëm dashuri e pastër pa interes, që vetëm familja mund të ta dhurojë. Në ato ditë që je gati për t’u dorëzuar, vetëm familja mund të të karrikojë. Janë ata që nuk mendojnë për veten, po për ty. Ilaçi i duhur, të vetmit që t’i pranojnë defektet.

Lei-4
Nisur nga eksperienca jote amerikane, çdo u thoshe atyre që e kanë fituar Lotarinë Amerikane dhe atyre që e dëshiruan shumë por s’patën fat?
Ata që e kanë fituar suksese! Dhe ta mendojnë mirë, pasi si në çdo vend të botës Amerika ka plot vështirësi për të hasur. Për ata që nuk e kanë fituar çdo gjë ndodh për një arsye. Unë besoj që fati është i caktuar!
Dëshira jote ende e parealizuar?
Dëshira ende e parealizuar është si shumicën e femrave, që nuk e kanë provuar, pra të krijoj familje. Së dyti të bëj gjëra më “big” në profesionin tim duke përfshirë “behind the scenes”. E treta të përdor diplomën time njëkohësisht. Meqenëse kam mbaruar studimet për Biznes Ndërkombëtar pse jo të punoj për një organizatë amerikane, dhe të krijoj një biznes timen. Dhe jo një biznes tipik.
Je e hapur për njohje me djem, apo tashmë është dikush që ta ka rrëmbyer zemrën?
Ehhh vetëm zemra e di! Unë e konsideroj jetën time private shumë të shenjtë. Shpresoj mos ta përdor ndonjëherë këtë gjë kaq të shenjtë për publicitet.
Ëndrra e një nate të nxehtë vere si mund të jetë për ty?
Nuk mendoj ndonjë skenë (qesh). Momentet nuk i krijoj në kokën time se mbase zhgënjehem pastaj nëse nuk realizohen (qesh).
Mund të na përmendesh 10 urdhëresat e tua në shtrat?
Do të doja të flisja për 10 kërkesa që kam jetën time në jetë më mirë, ose për mashkullin tim ideal.
Një Leila si ty ç’marrëdhënie ka me kartëmonedhat Euro në ngjyre lelja?
Emri im nuk ka fare lidhje me kartëmonedhën “lejla”. Unë nuk e dija çfarë ngjyre ishte Euro derisa dëgjova këngën e Elvana Gjatës. Jam rritur në USA, jo në Europë. Paranë e vlerësoj vetëm kur është fituar nëpërmjet punës. Vetëm kur është plotësisht e merituar, me djersë dedikim, dhe drejtësi atëherë më shijon. Nuk jam aspak materialiste.
Ky sezon po mbyllet, ku do të shohim sezonin tjetër?
Unë jam njeri që ka nevojë për risi në jetë. Por shpresoj që jo vetëm sezonin tjetër por dhe më gjatë të vijoj në “Digitalb”. Thjesht mendoj që do i shtoj detyra vetes brenda dhe jashtë punës. Është e nevojshme që t’i shtoj përgjegjësi vetes në mënyrë që të përparoj./Story.al