Inter i rikthehet pistës Gjimshiti, propozon shkëmbim me Lazaro

Dështimi për të firmosur me Bremer ka zhvendosur vëmendjen e Interit tek një tjetër pistë merkatoje. Sipas asaj që raporton “Sportmediaset”, zikaltërit kanë shfaqur interes për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti.

29-vjeçari shihet si një opsion i mirë për të përforcuar prapavijën e skuadrës së Interit. Për të arritur te Gjimshiti, Interi është gati të ofrojë kartonin e mbrojtësit të krahut Lazaro për të mos bërë shpenzime të tepërta për shqiptarin.

Gjimshiti gjendet prej kohësh në listën e dëshirave të Interit, por interesi i lartë i Atalantës për të firmosur me Lazaro, i ka shtyrë drejtuesit zikaltër që të mendojnë seriozisht për shqiptarin. Duke iu referuar burimeve të mediave italiane është e mundur që të arrihet një marrëveshje shkëmbimi për dy lojtarët.

Kartoni i qendërmbrojtësit shqiptar vlerësohet 17 milionë Euro në treg dhe pëlqehet së tepërmi nga Interi pasi është i aftë për të luajtur edhe me mbrojtjen me tre, skemë që praktikohet nga trajneri Simone Inzaghi. Sezonin e shkuar, Gjimshiti luajti në 36 ndeshje ku shënoi edhe tre gola.

Klan News