Instagram pezullon llogarinë e Kanye West

Llogaria e Kanye West në Instagram është pezulluar përkohësisht, duke e detyruar reperin të kthehet në Twitter.

Pas postimeve dhe sulmeve të tij në internet ndaj personazheve të tjerë të famshëm, reperit iu tha se nuk mund të përdorë Instagramin sepse ka shkelur politikat e rrjetit social.

Prandaj Kanye West vendosi të gjejë një mënyrë tjetër për të komunikuar me audiencën e tij dhe kështu, ai rihapi llogarinë e tij në Twitter, të cilën e kishte mbajtur joaktive për dy vitet e fundit.

Reperi nuk u mjaftua me kaq por edhe thumboi Mark Zuckerberg dhe u sigurua që t’i dërgonte një mesazh përmes Twitter.

Më konkretisht, ai ka postuar një foto nga e kaluara, ku shfaqet në një “koncert improvizues” pranë shefit të kompanisë Meta duke mbajtur mikrofonin.

Postimi i tij duket se ka tërhequr interesin e Elon Musk, i cili ka shfrytëzuar rastin për të mirëpritur Kanye West në Twitter.

“Mirë se erdhe përsëri në Twitter, miku im”, ka shkruar ai në një postim, të cilin reperi e ka ripostuar menjëherë, duke treguar se ka mbështetjen e njeriut më të pasur në botë.

Tv Klan