“Injorantët, po na injorojnë!”, Robert Aliaj na la pa fjalë me qëndrimin e tij për logon e TKOB-së
Artisti multidimensional, Robert Aliaj, i njohur për qëndrimet e tij të qarta në mbrojtje të vlerave kulturore të Shqipërisë, ka bërë një reagim pas debatit për logon e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Moderatori i formatit më të ri televiziv “As pro as kundër”, në faqen e tij zyrtare në Facebook ka postuar një shkrim me titullin:
“E shëmtuar. Teatri i Operas dhe Baletit brendon vjedhjen!” Qëndrimi argumentues nis me përshkrimin: “Një sqarim: për ndryshimin midis hajdutit të patateve në një supermarket dhe hajdutit të të drejtave intelektuale e shpirtërore…”, vijon me shtjellimin e fenomenit për të cilin Roberti ka një konkluzion: “Injorantët po na injorojnë”. Për të mësuar më shumë rreth qëndrimit të tij, revista “Story” ju sjell më poshtë statusin e plotë të Robert Aliajt:
“E shëmtuar. Teatri i Operas dhe Baletit brendon vjedhjen.
Një sqarim: për ndryshimin midis hajdutit të patateve në një supermarket dhe hajdutit të të drejtave intelektuale e shpirtërore.
E para – Mallrat e vjedhura në supermarket nuk janë mallra autentike, që kanë pronar me të drejta intelektuale.
E megjithatë janë tmerrësisht të dënueshme.
E dyta – Këtu kemi të bëjmë me një vjedhje të një vepre arti me qëllim përvetësimin e të drejtave të autorit dhe që pretendohet nga kryetari i komisionit që: logo ka marrë vlerë tani, sepse u bë mediatike.
Plagjiatura është vjedhja, përvetësimi i veprës artistike, i gjuhës, mendimeve, ideve apo shprehjeve të një autori nga një hajdut.
Bota jonë moderne po fundoset në ujërat e thella të gënjeshtrës, mashtrimit dhe falsificitetit nga arsyetime si këto të fenomenit të plagjiaturës, imitimit, mediokritetit dhe mungesës së kreativitetit.
Por ajo që vodhën më besoni, ka vlerën e një thesi patatesh 5Kgh që nga kreativiteti pastaj, është logo që nuk përfaqëson aspak një institucion si Opera. Logo si vepër arti është përbërës i kulturës, pasqyron substrate ekonomike dhe sociale në modelin e saj autentik. Pasqyron ide dhe vlera të natyrshme në çdo kulturë në hapësirë dhe kohë dhe vendin të cilit i përket.
Veprat artistike, për të qenë të tilla, duhej të kenë disa karakteristika, përfshirë pasqyrimin e realitetit dhe bukurisë ku veprojnë.
Çfarë më bën përshtypje?
Një komision fantom me tre persona të dyshimtë, ku as bordi i teatrit të Operas dhe Baletit nuk ka dijeni që egziston. Më bën përshtypje rëndë këmbëngulja e tyre e paskrupullt për të justifikuar me çdo mënyrë veprimin e tyre. As simbologjia kombëtare si identitet kulturor dhe standard përfaqësimi nuk ju bën përshtypje.
Helidon Haliti, kryetar komisioni në përçatjen e tij thotë që i pëlqen të mbështesë çdo lloj risie. Vjedhjen që bën një institucion kaq prestigjoz si Opera, të përdhosur nga paafteësia e këtyre personazheve butaforike, po e shet për risi. I bëj të qartë akuarelistit që: Artist, nuk të bën vetëm përdorimi bojërave, Bojaxhiu, për shembull. Arsyeja, dhe mbi të gjitha idea pse dhe si përdoren bojërat, ka rëndësi, sidomos kur nuk ke asnjë mjet tjetër shprehjeje.
Ai shton se: Nga momenti që nuk kemi kontestim nga viktima, i vjedhuri, ne do ta mbajmë dhe ju fton ta adhuroni sepse ka marrë aq bujë, saqe u bë logo historike tani, po për çfarë?
Mirëpo per vjedhjen e fondeve publike ai nuk nuk thotë gjë, sepse nuk është risi. Ai shton se kjo logo nuk është plagjiaturë, por është “mot a mot”. (frëngjisht: fjalë për fjaë). Kërkon të përdorë shprehje që s’ia ka as idenë. Shpresoj të di se çfarë po thotë i shkreti, sepse po duket qesharak. Aq më keq kur konfirmon se komisioni ka bërë një punë vërtet serioze, dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për përzgjedhjen, haha haaaaaaaaaa putain!
Georgia O’Keeffe thoshte:“Është e parëndësishme kemi sukses apo jo, nuk egziston diçka të tillë. Të bësh të njohura panjohuritë e tua, është gjëja më e rëndësishm”.
Përvoja subjektive e krijimit si artist është, gjëja më e rëndësishme në përcaktimin e vetes si të tillë, fiton apo jo kjo nuk ka rëndësi. Ky udhëtim krijues dhe procesi i krijimit është rruga e vetë-depërtimit dhe reflektimit, i cili zhvillohet gjatë gjithë jetës.
Pastaj kur vijon pa më surprizuar fare këtë rradhë, duke konfirmuar në gomarllëk tjetër duke akuzuar të rinjtë që kanë shpirt kontestator, të mos kontestojnë, të mos ankohen, si në kohën e diktaturës, nuk duhet të ankohemi.
Dhe me të njëjtën llogjikë, gomari rikonfirmon: Vendimi i komisionit është i pakundërshtueshëm thotë akuarelisti, sepse paret i kemi shpenzuar dhe nuk kemi ndërmend t’i kthejmë.
Unë nuk dua të hyj në debate për cilësinë e logos, që edhe në rastin më të mirë, që nuk do të ishte e vjedhur, kjo logo maksimumi do të ishte e përdorshme vetëm për ndonjë dyqan riparimesh kompjuterash, shumë dizajn teknik.
Logo e vjetër e Teatrit të Operas dhe Baletit është pa diskutim prestigjoze, e pazëvendësueshme, jo nga këto përkërira të paktën. Kujt t’i besojmë tani, në këto kohë të plagjiaturës që marrin profil të lartë, gjoja ngaqë bëhen të mediatizuara. Normalisht në një vend jo kaq rrumpallë sa Shqipëria, plagjiatura do t’i ndiqte tërë karrierën e tyre. Jo vetëm që ata duhet të pushohen nga puna, por duhet të kërkohet të largohen nga pozicioni i tyre aktual. Ata me siguri duhet ta kenë të vështirë të marrin një punë tjetër të respektueshme.
Që ta mbyll me një pyetje: Krijimtari, autencitet? Apo plagjiaturë??