“Influencer marketing po sheh rritje çdo vit”

Anaid Kaloti, drejtues i agjencisë “SHET Influencer Industry”

Ecuria e tregut ka qenë pozitive, me rritje të bashkëpunimeve të formalizuara dhe përmirësim në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Anaid Kaloti thotë se si agjencia ndihmon në zgjedhjen e influencuesve të duhur për fushatat e klientëve, duke analizuar segmentin e tregut, qëllimet dhe përputhshmërinë e influencuesve me brande të ngjashme.

Në të ardhmen, sipas tij, pritet që teknologjia do të luajë rol kyç, duke parashikuar zhvillim të mëtejshëm të influencuesve me Inteligjencë Artificiale dhe një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si këshillat dhe ndikimi do të shfaqen në jetën tonë të përditshme.

A lindi “SHET Influencer Industry” si nevojë e një tregu në rritje të influencers?

Kemi një histori interesante që lidhet me themelimin e agjencisë sonë. Zyrat tona ndodhen në një nga qendrat tregtare dhe ne jemi regjistruar si biznes ditën që në Shqipëri u mbyllën të gjitha qendrat tregtare, pra në 2020 gjatë pandemisë.

E pamë si nevojë të tregut këtë nismë, sepse kur gjithçka do paralizohej, do të duheshin disa kanale për të dhënë disa informacione.

Fillimisht nisëm me këshilla në funksion të situatës, pra shmangies së virusit, nëpërmjet kanaleve të influencerëve.

Më pas, u përqendruam edhe të branding, bëmë fushata edhe për qëllime të caktuara të bizneseve të ndryshme. Rezultat u korrën mbrapa.

Si ka qenë ecuria e tregut?

Ka qenë mirë, kemi një numër të konsiderueshëm biznesesh me të cilët bashkëpunojnë ndër vite. Agjencia bën lidhjen mes influencuesve dhe bizneseve, e lindur nga nevoja ku shumica e influencuesve nuk kanë NIPT-e.

Ne tarifohemi, bëjmë ndërmjetësimin, ndërtojmë fushatën, tregohemi korrektë deri në fund që çdo gjë që shkruhet, të realizohet.

Tregu ka nisur të rregullohet, janë më të formalizuar, shumica e bashkëpunimeve janë me kontratë legjitime.

Ka ende një pjesë informale që është e vështirë të verifikohet, sepse për shembull, një influencer thotë është brandi i kushëririt tim dhe unë e postoj pa pagesë dhe nuk ka asnjë formë verifikimi për këtë.

Megjithatë, tregu ka ardhur duke u maturuar, një pjesë e mirë e influencers kanë hapur edhe NIPT-et e tyre.

Në lidhje me çmimet, si kanë qenë vlerat në treg?

Është një treg normal se vitet e fundit fryhet shumë, nga teoria e pagesave me shumë zero.

Shumica e vlerave të mëdha në treg vjen nga personazhet e TikTok, ne nuk merremi me monetizime TikTok, ndaj nuk mund të jap me siguri shifra për këto.

Ne bëjmë bashkëpunime për YouTube dhe Instagram, ku çmimet nisin nga 50 euro deri në 500 euro për postim.

Ka disa tregues për shumën që ti paguhesh: sa korrektë je ndaj publikut, çfarë gjuhe komunikimi ke me ta, je thjesht figurë publike apo ke edhe ndërveprim ku përfshihet ndarja me audiencën e elementeve të ditës tënde: veshje, gatime, pushime apo evente etj.

Pastaj sigurisht që studion edhe numrat.

Sigurisht që figurat publike sidomos ata të mirënjohur në ekrane mediatike paguhen edhe më shumë për shkak të imazhit që kanë.

Si funksionon praktikisht agjencia juaj?

Fillimisht, kur një brand i afrohet agjencisë, ne studiojmë segmentin e tregut që ata kanë, studiojmë qëllimin që duan ta arrijnë dhe si ta arrijnë.

Për këtë, shohim se cili influencer është më i përshtatshëm, cilët janë kompetitorët e tij, çfarë komunikimi ka dhe cilat rezultate ofron.

Gjithashtu shohim nëse ka bashkëpunuar me marka të ngjashme më parë. Është i njëjti standard si në të gjithë ligjet e tjera të marketingut.

Si e shikoni të ardhmen e këtij tregu dhe të këtij profesioni që konsiderohet tashmë?

E ardhmja lidhet ngushtësisht me teknologjinë.

Nëse ti sot ke një këshilltare në familje që mund të jetë mamaja, dikë në punë që mund të jetë një profesionist i fushës, nesër këshilltari më i mirë yti do të jetë telefoni dhe do të jetë më i zgjuar se të gjithë këta që ti ke njohur.

Do të lidhesh aq shumë me të, sa do të fillosh ta dëgjosh më shumë dhe mbase të jetosh, ashtu siç ai do të të këshillojë të jetosh. Influencer do të vijojë si profesion i së ardhmes.

Ata u përdorën që fillimisht njerëzit t’i njihnin platformat, por tani që njerëzit i njohën ato, roboti do të bëhet edhe më i rëndësishëm se sa influenceri-njeri.

Ka disa industri në botë që kanë nisur t’i përdorin ata, pra të ndërtojnë influencer me Inteligjencë Artificiale. Nga këtu do të vijë i gjithë ndryshimi./ monitor

living.al