IN MEMORIAM/ 13 vite nga vdekja e AMY WINEHOUSE, zëri i mrekullueshëm i këngëtares, alkooli dhe ‘Klubi 27’
Këngëtarja la pas një diskografi të vogël, por me shumë ndikim, e cila vazhdon të frymëzojë dhe të influencojë artistët e rinj
Sot bëhen 13 vite nga ndarja nga jeta e këngëtares së famshme britanike, Amy Winehouse, e cila la gjurmë të pashlyeshme në industrinë e muzikës me zërin e saj unik dhe stilin e saj të veçantë.
E lindur më 14 shtator 1983 në Londër, Winehouse filloi të merrej me muzikë që në moshë të re. Albumi i saj debutues, ‘Frank’, u publikua në vitin 2003 me vlerësime pozitive, megjithatë ishte albumi i saj i dytë, ‘Back to Black’, që e bëri atë të famshme në botë.
Jeta personale e Amy Winehouse ishte po aq intensive sa karriera e saj. Marrëdhënia e saj me Blake Fielder-Civil ishte e trazuar, ku të dy u martuan në vitin 2007 dhe u divorcuan në vitin 2009. Marrëdhënia e tyre u karakterizua nga përdorimi i drogës dhe alkoolit, gjë që ndikoi thellë në shëndetin dhe gjendjen e saj mendore.
Winehouse luftoi me varësinë ndaj substancave dhe alkoolit për pjesën më të madhe të jetës së saj, gjë që e solli atë në qendër të vëmendjes së mediave shumë herë. Suksesi i saj dhe presioni i publicitetit kontribuan në përkeqësimin e problemeve të saj shëndetësore, me pranimet e vazhdueshme në qendrat e rehabilitimit dhe dështimet e shpeshta në përpjekjet e saj për t’u rikuperuar.
Më 23 korrik 2011, Amy Winehouse u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Londër. Shkaku i vdekjes së saj ishte konsumimi i tepërt i alkoolit, sipas mjekut.
Në momentin e vdekjes së saj, niveli i alkoolit në gjak ishte pesë herë mbi kufirin ligjor. Mjekja ligjore Susan Greenaway e përshkroi vdekjen e saj si një “pasojë të papritur të konsumit të tepërt të alkoolit”.
Pas zbulimit të lajmit në gjykatë, prindërit e këngëtares ndanë një deklaratë për vdekjen e vajzës së tyre: “Është një lehtësim i vogël të zbulosh më në fund se çfarë ka ndodhur me Amy-n. Ne e kuptojmë se kishte alkool në sistemin e saj kur ajo vdiq. Është e mundur që alkooli të grumbullohet në sistemin e saj për disa ditë. Amy luftoi shumë për të mposhtur problemet e saj me alkoolin dhe është një dhimbje e madhe për ne që ajo nuk mundi të fitonte në kohë ”, thanë prindërit e saj.
Winehouse ishte vetëm 27 vjeç kur u nda nga jeta dhe vdekja e saj e bëri atë pjesë të ‘Club 27’. Ky term përdoret për të përshkruar një grup muzikantësh dhe artistësh jashtëzakonisht të talentuar që vdiqën në moshën 27 vjeçare. Ky grup përfshin disa nga emrat më të mëdhenj në historinë e muzikës dhe vdekjet e tyre zakonisht lidhen me rrethana tragjike ose misterioze. Disa nga anëtarët më të famshëm të ‘Club 27’ përfshijnë këngëtarin e Doors, Jim Morrison, kitaristin legjendar Jimi Hendrix, Janis Joplin, një nga zërat më të mëdhenj në rock dhe blues, dhe Kurt Cobain të Nirvana. “Club 27” ka marrë një status thuajse mitik për shkak të moshës së re dhe rrethanave të vdekjes së anëtarëve të tij. Lidhja e këtyre vdekjeve ka çuar në shumë teori dhe diskutime rreth presionit të famës, vetëshkatërrimit dhe efekteve të jetës në botën e muzikës dhe argëtimit./ Përgatiti LIberale.al