Iljard Shaba: Pse vendosa të fejohem në kulmin e karrierës, një artist si unë mund të jetojë gjithë jetën me një grua nëse ka fatin tim

Perfomancat e Iljard Shabës me violinçel janë spektakël i vërtetë emocionues, duke parë se si e trajton instrumentin si qenie me shpirt, me të cilën shkëmben emocione pafund. Artisti që njihet për bashkëpunimet me Ervin Gonxhin në klipe, festa e dasma, po zyrtarizon me fejesë historinë disa vjeçare të dashurisë me Arklindën. Për gëzimin në zemrën dhe në shtëpinë e tij ai rrëfen për herë të parë detaje nga jeta sentimentale për revistën “Story”.

Ta bësh natën ditë siç bën ti, mund të na e përshkruash si gjendje mentale e shpirtërore?
Ta bësh natën ditë është diçka që fillohet si gjendje shpirtërore dhe përfundon mentale, bëhet diçka e zakonshme që nuk të bën më përshtypje. Çdo profesion ka të mirat dhe të këqijat e veta. Të qenit instrumentist, unë i shoh më shumë anë pozitive se të tjerët.
Vitet e fundit je shndërruar ndër emrat më të pëlqyer e të kërkuar për spektakël të vërtetë gëzimesh familjare, dasma, etj. Melodia e preferuar që ti e luan me shpirt në çdo kohë e rast?
Melodia që preferoj dhe luaj gjithmonë me emocionin e herës së parë është “Final countdown”. Mendoj se kjo melodi do të jetë gjithmonë një “hit” në memorien e njerëzve, sikurse është në mendjen time.
Ndërkohë shohim që ke hedhur hap të rëndësishëm edhe në jetën tënde, duke shpallur fejesën. Kush është partnerja dhe si jeni njohur?
Ende nuk e kam bërë festën e fejesës, por është në planet e mia afatshkurtra, sapo të gjej mundësinë të shkëputem nga fluksi i punës që kam momentalisht. Partnerja ime quhet Arklinda. Njihemi prej disa vitesh bashkë. Jemi takuar rastësisht nga rrethana sa të bukura aq edhe shumë historike në marrëdhënien tonë.
Je tradicional si djalë që do të thotë se do i hedhësh hapat një nga një në zyrtarizimin e dashurisë, pra pas fejesës vjen martesa e fëmijët?
Patjetër që po. Familja është e shenjtë, dhe unë jam disi tradicional në këtë aspekt. Kështu që pse jo, pas fejesës do të vijojnë edhe ngjarje të tjera të rëndësishme për mua.
Një burrë artist si ty a mund të jetojë gjithë jetën me një grua, dhe nëse po, si mund të na e argumentosh?
Një burrë si unë jeton gjithë jetën me një grua absolutisht, nëse më bën të ndihem mirë. Një burrë si unë jep shumë dhe kërkon shumë, dhe nëse bëj një zgjedhje që është e duhura dhe afatgjatë.
T’i japësh fund beqarisë edhe pse dukesh shumë i ri është hap që të tremb apo të bën të lumtur?
Beqarisë në fakt kam disa vite që i kam dhënë fund, por tani zyrtarisht mendoj se më bën të lumtur. Kam në krah njeriun e duhur dhe jam shumë i lumtur.
Në dasmën tuaj cila do të jetë muzika që mendon se e bekon në plot kuptimin e fjalës dashurinë tuaj?
Në dasmën time do të jete muzika që ka një kuptim të rëndësishëm për të dy ne. Mendoj se duhet ta lë pak surprizë derisa të vijë dita.
Ti je natyrë romantike apo rebele, po tek partnerja çfarë të tërhoqi më shumë?
Jam natyrë e ndërthurur e s’mund të specifikohem. Tek partnerja më ka tërhequr mirëkuptimi që ajo tregon ndaj meje dhe profesionit tim. Ka shumë për të folur për të, por do e përmbyllja që jam me fat që e kam në jetën time.

Iljard Shaba: Dasmat VIP ku e kam djegur fare, dhe sa jam pasuruar nga muzika

Ndryshe nga këngëtarët, ti dukesh me misterioz duke luajtur muzikë. Çfarë bën ti ndryshe kur je gjithë adrenalinë, apo kur je nervoz?
Unë e trajtoj instrumentin tim njësoj si kur jam mire, si keq shpirtërisht. Gjej qetësinë dhe veten kur luaj, kështu që s’më duhet të mundohem shumë. E lë veten të lire, e kjo më bën dhe më të veçantë, se emocionin që ndjej e trasmetoj dhe tek publiku që më dëgjon.
Si arrite të bësh dallimin si instrumentist?
Dallimin nga instrumentistët e tjerë ma ka krijuar puna ime dhe pasioni që kam për këtë instrument. Kur e do atë që bën dhe lufton të jesh gjithmonë e më mirë, ky mendoj se është çelësi i suksesit.
Je bëre i pasur nga koncertet apo dasmat?
S’mund të them që jam i pasur, por jetoj mirë dhe jam i kënaqur nga frytet e punës sime.
Deri tani në dasmat e cilëve prej VIP ke luajtur, e ke djegur fare dhe që do të dëshiroje të bëje spektakël të vërtetë?
S’më pëlqen të jap emra në veçanti, sepse për mua çdo çift që kam performuar për ta, kanë qënë VIP-at e mbrëmjes, sepse ka qenë dita e tyre më e rëndësishme. E kam djegur tek të gjithë dhe do të vazhdoj ta djeg, thjesht duhet të më ndiqni me projektet në vijim. Stay tuned…