Ilir Shaqiri: Nuk ka kënaqësi më të madhe kur ke vajzën partnere kërcimi, Emily është shumë e kërkuar dhe punon në…

Largohet nga Shqipëria me mbylljen e spektaklit “Dancing with the stars”, ku kryeson jurinë dhe rikthehet në Romë (Itali) pranë familjes. Prej vitesh ky është itenerari i Ilir Shaqirit, i cili tashmë në turet e shfaqjeve gala në Itali bën shumë përshtypje pasi ka si partnere vajzën e tij të vetme Emily, nga martesa me aktoren e njohur të serialeve italiane, Emanuela Morini. Po si është jeta e një artisti të rritur në familje balerinësh, plani për të sjellë në jetë fëmijë të dytë, projektin artistik për Shqipërinë, paratë dhe sekretin e martesës brenda së cilës vendin e xhelozisë e ka zënë…

Një balerin, si i ka relatat me vitet që ikin, dhe si mund ta mposhtë këtë mendim tek vetja?
Relatat me profesionin tim janë në evolucion të përditshëm, si nga stili deri te mendimi çfarë duhet të bëjë javën që vjen, përsa i përket frymëzimit dhe krijimit tim. Kjo mënyrë e të jetuarit të mban gjallë dhe të mbush me energji çdo moment. Baleti i dashuron të gjithë, por nuk fal asnjë.
Në postimet e tua të fundit në rrjetet sociale bën përshtypje vajza jote Emily, e cila përveçse shumë e talentuar është mjaft e bukur. Meqë e njeh konkurrencën që ekziston në baletin klasik dhe po ashtu në botën e televizionit, për çfarë do të kujdesesh më shumë në hapat që ajo do të hedhë?
Emily është një talent, jo vetëm në balet. Studion kanto e aktrim, është shumë e kërkuar dhe punon me dy agjenci në Romë dhe Milano për modë e fotomodele. Besoj se baleti do të jetë thjesht komplementar në formimin e saj si artiste. Ajo kërcen kërcim modern shumë bukur dhe kemi marrë pjesë në disa gala këtë sezon. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur ke vajzën si partnere kërcimi.
Ajo është tashmë balerina që kërcen në një skenë me dy emra të famshëm në Itali, Ilir Shaqirin dhe Kledi Kadiun. Si sillet apo me ju në punë?
Emily është shumë e natyrshme dhe e thjeshtë me të gjithë, sepse unë i kam mësuar që virtyti më i madh i një artisti është thjeshtësia. Me Kledin apo artistë të tjerë ajo është shumë ok, pasi i njeh që e vogël.
Sa i takon martesës me aktoren e njohur italiane Emanuela Morini, si i ruani ekuilibrat brenda familjes, dhe si ia bëni me xhelozinë?
Unë, për shkak të punës, jam shumë shpesh në ture, dhe kjo ndoshta bën që mos të ketë monotoni në jetën time familjare. Xhelozia me kohë i lë vend besimit dhe mirëkuptimit. Thjesht çdokush ruan dimensionin e tij në punë dhe familje, pa i peshuar tjetrit.
E keni menduar sjelljen në jetë të fëmijës së dytë, apo kjo është një temë që nuk e diskutoni më në çift?
Do të doja një djalë… por jeta ime ka ritme shumë të shpejta. Siç thonë, me kismet!
Familja Shaqiri, një familje me emër në fushën e baletit. Si është jeta që bëni, duke menduar që ju artistët jeni pak ndryshe nga njerëzit e zakonshëm?
Sigurisht, ka pikëpamje të ndryshme për fushat e artit. Përsa i përket fushës së baletit, në shtëpi është “luftë” e vërtetë mes të gjithëve. Mami, vëllai, babi, unë, jemi epoka të ndryshme dhe normal që kemi vizione artistike secili për vete. Arti, si dhe bota, çdo ditë ka një evolucion gjigand për shkak të telekomunikacionit social, ku konfrontimi dhe shkëmbimi është i menjëhershëm.

Ilir Shaqiri: E kam arritur suksesin në një vend të huaj, ndaj dhe jam shumë më i pasur se një artist normal
Gjatë intervistës me Ermal Mamaqin u shprehe se je duke menduar hapjen e një shkolle baleti në Tiranë. Kaq shumë vite jetë dhe karrierë në Itali e mendon veten ndonjëherë të vendosesh për të jetuar në Tiranë?
Do të më pëlqente të hapja një “Center modern dance” në Tiranë, por duhet të gjej kohë e mënyrë për të menduar seriozisht ku dhe kur. Sigurisht më pëlqen, pasi nga shumë eksperienca me nxënës shqiptarë dhe në Itali kam vënë re se vërtet jemi një popull i talentuar në kërcim dhe e kemi në gjak dinamikën e lëvizjes, interpretimin dhe ritmin. Për të theksuar dhe vullnetin dhe pasionin që kemi.
Në një vend si Shqipëria as nuk mendohet që një balerin mund të pasurohet nga ky profesion, apo ti mendon ndryshe?
Pasuria e artistit është suksesi. Përkundrazi, përsa i përket lekut besoj se në Shqipëri ka kolegë që fitojnë shumë dhe s’vlejnë as gjysmën e pagës që marrin. Thjesht kanë përfituar duke qenë të vetmit e mbetur pas eksodit të shumë artistëve. Prandaj mos ua qani hallin se janë mëse OK!
Po ti në Itali ke arritur të pasurohesh me punën tënde?
Unë e kam arritur në një vend të huaj, prandaj dhe jam shumë më i pasur se një artist normal.