Ilir Shaqiri: Jeta ime në Itali mes famës së vajzës dhe planit për fëmijë tjetër

Pas gati një dekade që balerini me karrierë të spikatur në Itali, Ilir Shaqiri, fluturonte çdo javë drejt Tiranës për të kryesuar jurinë e “Dancing with the stars”, ai do të rikthehet në shtator për një workshop-i të kualitetit të lartë. Për projektin e veçantë, famën e vajzës Emily Shaqiri, dhe planit për të zgjeruar familjen me aktoren italiane Emanuela Marini, Iliri flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Në shtator do të kthehesh në Tiranë për një workshop kërcimi. Çfarë është ky projekt që të bën të vish vendin e lindjes pas “Dancing with the Stars”?
Angazhimi im përveç organizimit është ai i formimit të një klase workshop nga datat 2 deri 8 shtator me një koreografi firmata Ilir, që pjesëmarrësit do kërcejnë në natën finale që do të mbahet te amfiteatri i liqenit me shumë numra të tjerë baleti. Jam i lumtur që kthehem me një projekt të tillë në Tiranë, pikërisht aty ku jam formuar si balerin.

Ilir-3

Ndërkohë të shohim shumë aktiv në turet me vajzën tuaj Emily. E si është marrëdhënia juaj dhe si e menaxhon ajo famën që ka arritur si adoleshente në Itali?
Suksesi i Emily është frut i pasionit, punës dhe sakrificës. Ajo i dedikon shumë kohë baletit, recitimit dhe këngës, përndryshe nuk do të kishte fituar një provim të tillë për serial siç është Miracle Tunes, një produkt televiziv botëror, i nisur në Japoni me shumë sukses dhe tani Europian që transmetohet njëkohësisht në Itali, Gjermani,Angli, Spanjë, Francë e së shpejti në Greqi. Do jem shumë i lumtur kur një ditë të jetë dhe në një TV shqiptar. Emily është për momentin në tour në Itali me Miracle Tunes, ku qindra e mijëra fansa e lakmojnë dhe e ndjekin në facebook tek Emily Shaqiri Ufficiale, dhe këto janë frutet e një pune konstante. Vetëm duke punuar mundet që një ditë të realizosh ëndrrat! Përndryshe do të mbeten vetëm të tilla.

Je babai liberal apo ai fanatik për të, dhe duke qenë se e njeh botën e televizionit italian, ka diçka që të tremb në të ardhmen e saj si star në Itali?
Jam baba liberal albanez. (Qesh) Sigurisht që Emily ka lirinë e saj, por kjo ndodh brenda kufijve të mi.

Në planet e martesës suaj me aktoren italiane Emanuela Morini ëshët dhe një fëmijë i dytë?
Një djalë Shaqiri do të ishte perfekt. Jemi në përgatitje e sipër të diskutimeve dhe pas fjalëve do fillojnë punimet.

Ilir-2

Një familje artistesh si ju, me çfarë vështirësish përballet në jetën e përditshme?
Vështirësitë në jete i ka si artisti ashtu dhe muratori. Rëndësi ka që të duash punën që bën dhe të jesh artist në shpirt. Atëherë çdo gjë të duket më e lehtë dhe e bukur kur e realizon. Sekreti i suksesit është të mos dorëzohesh kurrë, sidomos kur jeton në një botë pa frena siç është ajo jashtë Shqipërisë.

Më cilët balerinë shqiptarë në Itali ke miqësi, dhe si mund ta përshkruash shoqërinë e hershme me Kledi Kadiun?
Shoqëria ime me kolegët është vërtet unike. Kemi shume konfidencë dhe feeling sa herë takohemi apo dëgjohemi si për botën e baletit dhe për temat e ditës. Jo për gjë kemi krijuar grupin whats up ku zihemi e kritikojmë njëri-tjetrin pa doreza çdo ditë. Jemi vërtet grup i fortë balerinësh në botë dhe çdo ditë përpiqemi të kemi kokën lart për punën që bëjmë. Me Kledin sigurisht në të kaluarën më ka lidhur shumë puna dhe akoma kemi raste që kërcejmë bashkë. Herën e fundit në qershor në Maddalena Sardenja për një shoë ku na thërrasin çdo vit. Çunat e baletit shqiptar janë talente botërorë si; Hektor Budlla, Dorian Grori, Bernard Shehu, Gentian Doda, Olti Shaqiri, Rezart Stafa, Brigel Gjoka, Marlon Dino, etj. Të gjithë balerinë me bagazh të veçantë artistik dhe supermodestë.

Ilir-4

Nëse do të lije Italinë për të nisur jetë të re në Shqipëri, nga do e filloje?
Jeta ime tashmë është në Itali, dhe pse e kam dhe ndjek me zemër Shqipërinë në çdo hap të saj. Më vjen shume keq kur pamjet e asaj që kisha ëndërruar të shikoja një ditë janë akoma shumë larg prej asaj që duhet të ishin mbas 30 vitesh Demokraci. Por një gjë dua ta them! Sikur shqiptarët që jetuan Shqipërinë këto 30 vitet e fundit të kishin bërë dhe menduar për të siç bënë gjithë ata shqiptarë që morën rrugët e botës dhe u përpoqën për të nga larg, gjërat sot do të ishin ndryshe./Panorama Plus