“Ikona që nuk e deshi askush”, ditët e fundit të Marilyn Monroe

Në librin më të ri “The Last Days of Marilyn Monroe”, me autorë James Patterson dhe Imogen Edwards-Jones, zbulohen dëshmi tronditëse, dokumente dhe rrëfime për ditët e fundit të ikonës më të madhe të kinemasë, Marilyn Monroe. Vepra, e cila pritet të dalë së shpejti në treg, hedh dritë mbi një të vërtetë të errët dhe të panjohur për jetën e yllit që vdiq në moshën 36-vjeçare.

Pas imazhit të një “sex symbol”-i që mund të të ndalte frymën me një shikim, fshihej një botë e mbushur me pasiguri, frikë, varësi dhe ëndrra të pamundura. Paraja dhe fama nuk arritën kurrë ta shëronin plagën që e përndiqte nga fëmijëria, frika se do trashëgonte çrregullimet mendore të nënës së saj. Ishte një grua që të gjithë e dëshironin, por askush nuk e kuptonte.

Në ditët e saj të fundit, Marilyn përjetoi episode të rënda të ankthit dhe izolimit. U dërgua në një spital psikiatrik. Atje i morën rrobat dhe e mbyllën në një dhomë të zbrazët me derë të kyçur. Filloi të bërtiste dhe të përplaste duart me forcë derisa iu gjakosën. E vetme, e panikosur, ku trajtohej si një pacient i rrezikshëm, ajo nuk kishte më lidhje me figurën e asaj që e quanin “ikona botërore”.

Kur u përpoq të thyejë derën me një karrige, infermierët ndërhynë dhe e transferuan të lidhur me këmishën e bardhë, në një dhomë tjetër më të sigurt, ku i dhanë qetësues.

E vetmja dritë në këtë ferr ishte telefonata që i lejuan të bënte. Ajo telefonoi ish-bashkëshortin, legjendën e bejsbollit Joe DiMaggio. Ai fluturoi menjëherë nga Florida në New York dhe i acaruar me stafin tha “se do e rrënonte atë vend, nëse nuk e linin atë të lirë”.

Pas një periudhe rikuperimi, Monroe u kthye në Hollywood. Ajo jetoi pranë apartamentit të Frank Sinatras dhe të dy nisën një lidhje të fshehtë. Por ajo nuk ishte më si më parë. Pinte shampanjë që në mesditë, duke mbërritur e dehur në koncertet e Sinatras.

Në një moment, ajo rifilloi kontaktet me presidentin John F. Kennedy. I ftuar në një darkë nderi për të, Kenedyt i ringjallet tërheqja dhe e fton në fundjavë në Palm Springs.

Pas koncertit legjendar ku i këndoi “Happy Birthday, Mr. President”, ajo e dinte se kishte arritur kulmin, por gjithashtu e ndjente se po zhytej në errësirë.

“Pa mbështetje, ajo shihte veten në pasqyrë dhe pëshpëriste: “Jam e shëmtuar. Askush nuk më do.” E vetme në dhomë, me ilaçet mbi komodinën e shtratit, ylli më i ndritur i ekranit fik dritën e tij përgjithmonë”, shkruhet në librin për të.

/tvklan.al