‘Ia kisha borxh Adelës’, Arjan Konomi kujton kohën e Big Brother dhe përlotet në emision
Arjan Konomi është një prej atyre personazheve televizive që e lidhim gjithmonë me “Big Brother”, pavarësisht se kanë kaluar shumë vite që kur ai ishte opinionisti i reality show-t të famshëm. Prandaj, Arjani nuk iu shmanget pyetjeve që lidhen me protagonistët e “Big Brother” as sot e kësaj dite.
I ftuar në “Shiko kush luan” kësaj jave, Arjani u pyet se cili është personazhi më i mirë dhe ai më pak i mirë nga Big Brother, sipas mendimit të tij. Pyetje që e përloti opinionistin, por edhe të ftuarit e tjerë.
“Ka shumë personazhe të mirë, të cilët arritën të bënin edhe një karrierë dhe sukses televiziv. Me disa kam krijuar një lidhje miqësie që vazhdojmë ta mbajmë edhe sot e kësaj dite. Por dua t’i lë mënjanë këta dhe dua të kujtoj një personazh që sot nuk jeton më, që është Adela. Adela Xhamani, që humbi jetën papritmas dhe ishte një personazh shumë, shumë i dashur nga publiku shqiptar”, -tha Arjani, duke mos mundur t’i mbajë lotët.
“Kjo është jeta dhe në jetë duhet të përpiqemi gjithmonë të luftojmë. Kështu ishte Adela, u përpoq, erdhi nga një realitet i zymtë, i trishtuar, krijoi shumë polemika në televizion dhe çau pa e vrarë mendjen për atë që mendonte opinioni, për atë që mund të thoshin njerëzit. Arriti një sukses në televizion, në gazetari, por fati i saj ishte ky. Ndaj duhet të kërkojmë të “luftojmë”, pasi jeta është e shkurtër. Ta jetojmë ashtu siç e ndjejmë”, -u shpreh opinionisti i emocionuar, duke e mbyllur: “Ia kisha borxh Adelës”.