I vodhën 175 mijë stërlina nga karta e kreditit, Mahrez e vuri re pas… pesë javësh
Riyad Mahrez iu deshën pesë javë për të kuptuar se dikush po i vidhte paratë, duke përdorur një nga kartat e tij të kreditit për të bërë një jetë spektakolare në Ibiza dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Orkestrimin e mashtrimit – i cili daton që nga viti 2017, kur ylli aktual i Manchester City luante në Leicester – ishte 32-vjeçari Sharif Mohamed, një shofer i një makine-pirun, që në pak më shumë se një muaj shpenzoi 175,830 £ (më shumë se 200,000 euro) të Mahrez mes festave në plazhe, hotele luksoze, pazar në butikët më ekskluzive dhe basteve në kazino.
“Gjëja më e habitshme është që dikush mund të shpërdorojë 175,000 £ nga një kartë krediti pa e kuptuar edhe vetë ai që i humbi,” ka komentuar për The Sun ish-Kryeinspektori i Policisë Mick Neville. Sipas rindërtimit të bërë gjatë procesit, që u zhvillua në gjykatën Snaresbrook, gjithçka filloi me një telefonatë: një person telefonoi Barclays bank duke pretenduar të ishte Mahrez, për të porositur një kartë krediti në emrin e tij.
Mohamed (mbi të cilin kishte një dënim të mëparshëm me kusht për një mashtrim rezervimi hoteli dhe që në 2009 ishte në burg për 45 muaj për grabitje) mbrojti veten duke pretenduar se ai po vepronte në emër të një anëtari të pandershëm të bankës, por nuk ka dhënë prova për të mbështetur këtë pretendim, ndërsa në vend të kësaj është zbuluar se i njëjti mashtrues kishte shkuar nga Londra në Leicester me qëllim për të tërhequr para nga një ATM për të shmangur ngjalljen e dyshimeve.
Nga ai moment, filluan shpenzimet e çmendura midis Ibiza dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat kampioni algjerian i vuri re vetëm pas pesë javësh, duke bllokuar kartën e tij të kreditit. Përpara gjyqtares Laurie West-Knights, Mohamed pranoi akuzën e mashtrimit dhe u la i lirë me kusht, në pritje të dënimit të planifikuar për në 25 shkurt.