I tha se do të ndahej pasi gënjeu për moshën, 25-vjeçari dhunon barbarisht ish-të dashurën
Një 29-vjeçare në kryeqytet ka rënë pre e dhunës dhe rrëmbimit nga ish-i dashuri 25-vjeçar. Denoncimin e ka bërë vetë vajza dhe nëna e saj, e cila ishte në dijeni të ngjarjes.
Vajza ishte njohur fillimisht me djalin në fjalë nëpërmjet Facebook-ut. Për një kohë të gjatë, ai e kishte gënjyer për moshën, duke pretenduar se ishte më i madh se e dashura e tij. Konfliktet kanë nisur gjatë një udhëtimi të çiftit në Turqi, ku 29-vjeçarja ishte përballur me sjellje të dhunshme të të dashurit. Pasi ka mësuar për moshën e vërtetë të djalit, vajza e ka vënë në dijeni se me kthimin në Shqipëri, lidhjes së tyre do t’i vinte fundi.
Djali nuk e ka pritur aspak mirë këtë vendim dhe e ka dhunuar 29-vjeçaren, duke e goditur në trup e në fytyrë. Ai ka arritur në gjeste ekstreme, kur sipas dëshmisë së vajzës, i ka vendosur kabullin e karikuesit të telefonit në qafë, duke tentuar ta mbysë. Pas kthimit nga Turqia, fillimisht 29-vjeçarja ka patur frikë të denoncojë ish-të dashurin, pasi ky i fundit e kërcënonte me jetë edhe nënën dhe vëllain e saj. Madje, ai ka tentuar të aksidentojë qëllimisht me makinë vëllain e vajzës.
29-vjeçarja ka mësuar të vërtetën për moshën e ish-të dashurit gjatë udhëtimit të përbashkët në Turqi. Djali e kishte rrëmbyer vajzën pas kthimit në vendlindje, duke pretenduar se ajo do të ndërronte mendje. Në Turqi, 29-vjeçarja ka dëshmuar se ish-i dashuri i kishte marrë telefonin me forcë, në mënyrë që vajza të mos mund të komunikonte me familjen. /News31
Burimi: Gazeta SI