I skadon kontrata në qershor, zbulohet e ardhmja e Igli Tares
Lacio po përgatit kontratën e re për drejtorin sportiv Igli Taren. Edhe pse u përfol për një ndarje pas 15 vitesh gjërat duken se kanë marrë rrjedhë tjetër.
Presidenti i klubit, Klaudio Lotito ka folur gjatë në një intervistë për median “Il Messaggero”, ku ndër të tjera ka zbuluar dhe të ardhmen e drejtorit sportiv. Ai është shprehur se roli i tij nuk është vënë asnjëherë në pikëpyetje.
“Roli i Tares si drejtor sportiv nuk është vënë kurrë në dyshim, as për tani dhe as për të ardhmen”, u shpreh Lotito për “Il Messaggero”.
Edhe pse kontrata e Tares përfundon në 30 qershor të vitit 2023-të, Lotito duket i kënaqur me Taren dhe firma e re pritet të jetë thjeshtë formalitet.
Merkato e verës u bë “mollë sherri” mes Tares dhe Lotitos teksa ky i fundit vuri veton për të afruar në skuadër vetëm futbollistët që dëshironte trajneri Sarri.