I shtruar në spitalin Covid2, ndahet nga jeta piktori i njohur shqiptar Mustafa Arapi
Piktori dhe restaurator i njohur Mustafa Arapi, mbrëmjen e djeshme ka humur jetën për shkak të Covid-19. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije vajza e tij, Dorina Arapi, i cila në një psotim në rrjetet sociale shkruan se humbën “shtyllën e familjes”.
“Sot në mesnatë, babi im u largua nga jeta. Drita, dielli, bota, shtylla e familjes sonë u shua. Ba! Dua të të kujtoj kështu të qeshur gjithmonë! Të duam përjetësisht,” shkruan ajo në postimin e saj.
Kujtojmë se Arapi u shtrua në spitalin Covid2 në datë 16 janar. Ishte pikërisht vajza e tij që në atë kohë i bëri apel kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu që të tregonin kujdes për babain e saj, por fatkeqsisht ai e ka humbur betejën me virusin e rrezikshëm.
“Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare. Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare”, shkruante Dorina në rrjetet sociale, teksa kujtonte vendin e rëndësishëm që i ati kishte në kulturën dhe trashëgiminë tonë.
Ndarja nga jeta e piktorit të njohur është quajtur si një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme nga Instituti i Trashëgimisë Kultutore ditën e sotme, ndërsa ata kanë shpërndarë edhe një pjesë të punës që ai ka bërë ndër vite:
“I lindur më 23 korrik 1950 në Tiranë, Mustafa Arapi u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1979 për pikturë. Pas studimeve ai dha kontributin e tij të vyer në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë, si restaurues i veprave të artit bizantin, për t’u rikthyer sërish në pozicionin e shefit të Sektorit të Artit, po në Institutin e Monumenteve të kulturës në vitet 1993 – 2006.
Aktiviteti i tij professional ka qenë mjaft i gjerë. Artikujt e tij me karakter të mirëfilltë shkencor janë të panumërt. Do të veçonim kontributin e tij të çmuar dhënë si autor i shumë artikujve në revistën Monumentet,
Mustafa Arapi ka nxjerrë në dritë me qindra metra katrorë afreska, si në kishën e Shën Marisë në Leusë të Permetit por edhe në Kishën e Shën Marisë në Vllahogoranxi, të piktor Onufër, Qioriotit dhe Alivizit, të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta edhe në shumë të tjera nëpër Shqipëri. Ai ka restauruar shumë ikona dhe tavane dekorative të kishave, si të kishës së Gjithëshenjtorëve në Himarë, të Shën Thanasit në Karavasta, të Shën Kollit në Grabovë, Kishën e Manastirit të Zvërnecit, ikonostasin e Leusës, etj. Shumë studime që ai ka kryer për piktorët shqiptarë do të mbeten në trashëgiminë tonë të shkruar për kulturën dhe artin shqiptar. Mustafa Arapi ka lënë gjurmën e tij edhe si dijedhënës i brezit të ti, duke punuar si profesor i pikturës në Akademinë e Arteve, nga viti 1985 deri më 1991.”
/News31