I rrezikoi jetën partneres, Valon Shehu: Ishte faji i alkoolit
Incidenti i javës së kaluar në skenë paska pasur shkak alkoolin dhe këtë fakt e konfirmoi vetë këngëtari Valon Shehu mbrëmjen e tretë të ‘Dance Albania’, këtë të hënë.
Shumë i përfolur këtë sezon të ‘Dance Albania’, Valoni javën e kaluar i ka mbajtur frymën jo vetëm partneres së tij në kërcim, por edhe jurisë dhe të gjithë publikut që arritën ta dallojnë një moment jo vetëm të sikletshëm, po aq edhe të rrezikshëm. Duke humbur ekuilibrin gjatë performancës, Valoni i ka rrezikuar jetën balerinës profesioniste, e cila gjithashtu tha se u ndie e frikësuar për atë që ndodhi.
“Më krijohet një gjendje shumë e keqe, rrezikova të thyeja shtyllën kurrizore. Në atë moment, thjesht mendova që rashë. Do ishte shumë fatale për mua. Nuk dua ta mendoj fare se çfarë do më ndodhte”, ka thënë balerina Marjana.
Ndërsa Valoni pranon përgjegjësinë dhe ia lë fajin alkoolit: “Ndodhi, se s’kam qenë në formën time më të mirë. Ndoshta dhe alkooli pak që kam pirë një gotë të dytë, mendoj që ka qenë moskorrekte ime ndaj provave”.