I përfshirë në tenderin 400 mijë dollarësh? Alfio Rrotani reagon për herë të parë
Alfio Rrotani ka reaguar për herë të parë për përfshirjen në tenderin me vlerë 400 mijë dollarë që fitoi nga Fondi i Shqiptar i Zhvillimit për të krijuar menunë e “100 Fshatrave”. Në një prononcim për “Abc” ai është shprehur se ky është sulm politike dhe lajmet në media me deklaratat nga Partia Demokratike i ka quajtur sulme me pagesë.
“Janë komplet lajme të rreme, pa asnjë bazë konkrete. Por sa të mbarojë kjo do të jap edhe unë përgjigjet e mia. Normalisht me qëllim. Jemi mësuar, e kemi parë. Unë mendoj se kjo është më shumë politike. Por unë nuk merrem me politikë” tha ai.
Gara u kompromentua për shkak se Alfio Rrotani ka punuar me djalin e kreut të FSHZH, Flladi Agolli në restorantin e tij në Hamallaj i regjistruar me emrin “Beach Bedoun Bar”. Por kuzhinieri e mohon ndikimin.
“Unë njoh gjysmën e Shqipërisë, sepse bëj konsulenca. Nuk ka pasur fare ndikim, fare. Projekti është 3 vjeçar, kam ndërtuar një ekip, është një projekt shumë i bukur për të ndërtuar kuzhinën tradicionale shqiptare, do i lëmë një pasuri Shqipërisë. Po flasim për të çuar në UNESCO një pjatë tipike shqiptare”.
Kuzhinieri është shprehur se është gati që të shkojë të dëshmojë nëse do të thirret nga prokuroria.
“Patjetër që po. Nuk kam gjë për të fshehur. Cdo gjë në jetë e kam arritur me punë” përfundoi ai.
Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani me 27 Janar të këtij viti u shpall fituese e tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Tenderi tani është në dorën e SPAK-ut.
/News31