“I njoh mirë këto plagë, i kam edhe në shpirt”, aktorja italiane rrëfen sëmundjen e saj nëpërmjet librit autobiografik!

Aktorja e njohur italiane, Francesca Neri ka folur për herë të parë mbi sëmundjen e saj, që shkakton dhimbje të tmerrshme. Neri e ka rrëfyer gjithë eksperiencën e saj nëpërmjet librit autobiografik që ka shkruar së fundmi dhe që tashmë ka dalë në treg.

Në librari ka dalë libri ‘Come carne viva’, mbi jetën e Francesca-s, ku aktorja italiane tregon për sëmundjen kronike që i ndryshoi jetën. Sipas saj kjo sëmundje i shkaktonte dhe i shkakton ende dhimbje të mëdha. Bëhet fjalë për “cistitin intersticial”, një sëmundje jo infektive, por që i shkakton dhimbje shumë të mëdha. Francesca tregon:

Faza akute zgjati tre vjet dhe nuk e kam kalaur ende. Nuk ka shërim, thjesht mësohesh sesi ta menaxhosh dhe të mos i provokosh dhimbjet fizike e të mos ndihesh e paaftë. Dy vitet e para, unë që nuk besoj në mediat sociale, kam qenë pjesë e grupe grash që vuajnë nga e njëjta sëmundje. Doja të rrija vetëm. Më duhej të mbroja Claudion (bashkëshortin) dhe Roccon, djalin tim. Jam unë kryefamiljarja që kujdesem për gjithçka. Isha larg tyre, larg shtëpisë, kur në fakt ndodhesha aty fizikisht.

Ajo shton se mbështetja e Claudios, partnerit të saj ka qenë e rëndësishme, por se dhimbja më e madhe e saj ka qenë djali.

Dhimbja më e madhe ishte për djalin tim, për të e kam shkruar këtë libër. Kam gjetur një ekuilibër, duhet të mësoj ta ruaj. Fillova ta privoja veten nga gjërat që mund të shkaktonin një reagim. Ajri i kondicionuar, nxehtësia, ushqime të caktuara. Fshikëza, vezika urinare, është një mur dhe nëse dëmtohet, krijohen plagë të brendshme. I njoh mirë, i kam edhe në shpirt. Kjo është gjëja më e tmerrshme që kam përjetuar. Kam menduar vetëvrasjen. Kam kaluar muaj duke luajtur online gjithë natën. Izolimi im zgjati 3 vjet.

Top Albania Radio