I kontrollonte seksualisht dhe mendërisht: R Kelly shpallet fajtor për trafikim seksual

Këngëtari R Kelly u shpall fajtor si udhëheqës i një skeme të krimit të organizuar dhe trafikimit seksual që abuzonte me gra dhe fëmijë me ngjyrë. Ai u shpall fajtor për nëntë akuza, pas dekadash shmangie të përgjegjësisë penale.

54-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, u akuzua se drejtonte një skemë kriminale me bazë në Chicago, e cila rekrutonte gra dhe fëmijë të cilët nënshtroheshin ndaj seksit të padëshiruar dhe mundimeve mendore. Dëshmitarë të shumtë thanë se Kelly i kishte detyruar t’i bindeshin tekave perverse dhe brutale kur ishin të mitur në një skemë që shtrihej më shumë se dy dekada.

Kelly, i njohur për hitin e vitit 1996 “I Believe I Can Fly”, mund të dënohet deri në 20 vjet burg. Dënimi është caktuar për t’u vendosur më 4 maj. Ai mohoi çdo keqbërje.

Akuzat kundër Kelly morën vëmendje të madhe pas dokumentarit të vitit 2019 “Lifetime Surviving R Kelly”, i cili eksploroi pretendimet se shumë njerëz e mbrojtën Kelly-n dhe i detyroi viktimat e tij që të heshtnin për dekada të tëra.

Muaj pas publikimit të dokumentarit, Kelly u arrestua në korrik të vitit 2019 me akuzat për shantazh dhe shkelje të Mann Act, i cili ndalon transportin e grave ose vajzave me qëllim prostitucioni.

Referuar hetimeve, Kelly ushtronte pushtet mbi viktimat dhe i dominonte dhe kontrollonte ata fizikisht, seksualisht dhe psikologjikisht. Ai abuzonte me viktimat nëse shkelnin “rregullat”, të cilat shpesh përfshinin lejen për të përdorur tualetin, për të ngrënë, për të bërë telefonata.

Në një hetim të Buzzfeed News të pesë viteve më parë, viktimat e akuzuan atë se “u shpëlante trutë” vajzave dhe grave dhe i fuste më pas në një “kult” siç e quanin prindërit e tyre. Thuhej se u diktonte si të visheshin, si të silleshin, si të ushqeheshim, i trajtonte si kukulla duke i kontrolluar mendjen.

Gjykata bëri me dije se kishte “dënime mizore dhe poshtëruese” për shkeljen e rregullave, përfshirë goditjet dhe rrahjet e dhunshme. Kelly i detyroi viktimat e tij që të mos flisnin përmes frikës, duke i shantazhuar me informacione të turpshme ose fotografi dhe video.