I abuzuar seksualisht, Evra trondit përsëri: “13 vjeç shisja drogë e kërkoja lëmoshë”
Patris Evra, dihet, nuk ka patur një të kaluar të thjeshtë. Vitin e kaluar ai ka deklaruar se ishte abuzuar seksualisht nga mësuesi i tij e shkollës dhe tani 40-vjeçari zbulon detaje më delikate për jetën e tij. Ish-lojtari ka rrëfyer se në moshën 13-vjeçare shiste drogë dhe kërkonte lëmoshë, por jo vetëm kaq. Hante gjithashtu burgerë të ftohtë të nxjerrë nga kazanët e plehrave.
Ish-mbrojtësi i United e Juventus ka qenë protagonist në një episod të BBC Freeze The Fear, të drejtuar nga Holly Willoughby dhe Lee Mack. Evra, bashkë me ta, iu rikthye të kaluarës së tij të errët: “Ishin tre gjërat që bëja përpara se të bëhesha futbollist: shitja e drogës, lypja jashtë dyqaneve dhe shitja e televizorëve. Një nga këto tre është gënjeshtër, nuk kam shitur kurrë televizorë. Po, isha 13 vjeç dhe nuk po them gënjeshtra. E ndonjëherë, natën ngjiteshim në koshat e plehrave kur nga McDonald’s hidheshin burgerë të ftohtë.”
Përgjigja e tij tronditi të gjithë të ftuarit në emision. Më pas ish-mbrojtësi shtoi: “Kur babai braktisi familjen, gjithçka filloi të ishte kaos. Më shpëtoi futbolli. Erdha në Itali kur isha 17 vjeç. Më kujtohet kur mbërritëm, na shtruan ushqim. Pastaj shkova në dhomën time dhe thirra nënën time, isha ulur veshur me tuta dhe i thashë ‘Mami, këtu është si parajsë. Njerëzit na shërbejnë ushqim: dy pirunë në njërën anë, dy thika nga ana tjetër. Ky është kujtimi më i mirë i jetës sime”.
Evra në fund foli për ankthin e tij për abuzimin seksual nga mësuesi i tij i shkollës dhe se si kjo pati një ndikim të fortë në jetën e tij: “Abuzimi seksual në moshën 13-vjeçare pati një ndikim të madh në jetën time. Të vjen turp vetëm për veten. Kur nuk i beson autoriteteve, sepse ai ishte drejtori im, nuk i beson askujt tjetër”.