Hygerta Sako zbulon sekrete nga jeta e saj: Arsyeja pse ikja fshehtas nga shtëpia
Hygerta Sako është një nga gazetaret sportive më të komentuara të showbiz-it shqiptar. Së fundmi, ajo ka zbuluar disa të pathëna nga jeta e saj private, kryesisht nga adoleshenca. Gjatë një interviste për “Who”, Hygerta ka treguar se kur ishte në gjimnaz, shoqet dhe shokët e thërrisnin me një tjetër emër, duke u bazuar në stilin e flokëve dhe këngët që këndonte. “Kur isha në gjimnaz më thërrisnin Françeska sepse i mbaja flokët model francez dhe këndoja gjithmonë këngët franceze në koncertet e shkollës”, ka treguar moderatorja për “Who”. Gjithashtu gazetarja ka zbuluar se ka qenë një çapkëne e vërtetë në fëmijëri, madje largohej fshehurazi, pa dijeninë e prindërve. Ajo ka rrëfyer 10 gjërat që nuk i dinim për të, që mund t’i lexoni më poshtë:
Kur isha në gjimnaz më thërrisnin Françeska sepse i mbaja flokët model francez dhe këndoja gjithmonë këngët franceze në koncertet e shkollës.
Në klasë të 7-të jam renditur e treta në Olimpiadën e Matematikës në shkallë qarku edhe pse hyra rastësisht të zëvendësoja një tjetër pjesëmarrës që mungonte për arsye shëndetësore.
Di të qëndis e të qep në mënyrë perfekte që në moshë fare të vogël, të gjitha tipet e mundshme të qëndisjes apo tegelave dhe thur me shtiza shumë mirë. Vetëm grepin nuk e kam dashur dhe nuk e mësova kurrë.
Kur isha vërtet shumë e vogël, duke qenë se i shkoja mbrapa vëllait kudo kur ishte me shoqërinë e tij, kam mësuar që fëmijë notin, të luaj tavllën, qylin e burgun në lojën e tavllës, shah, pesëkatësh, pesëqindësh, e plot lojëra të tjera çunash të cilat i zotëroj shumë mirë edhe sot e kësaj dite.
Jam e fiksuar pas makinave të shpejta e me marshe dhe manovroj mjaft mirë me makinat, sa shpeshherë mendoj që duhet të isha bërë pilote.
Jam aq supersticioze, sa tmerrohem kur më pret rrugën macja e zezë, nuk e heq kurrë varësen nga qafa sepse më duket fatsjellëse dhe nuk ia puth kurrë sytë njerëzve që dua, ashtu siç nuk lejoj të m’i puthin sepse mendoj se është ters.
Në klasë të pestë fillova sportin e qitjes duke qenë se kisha të dhëna shumë të mira, por e ndërpreva shumë shpejt në pamundësi për ta ndjekur. Edhe sot e kësaj dite më pëlqen të shkoj të gjuaj me çifte me pjatelë apo të gjuaj me pistoletë në poligon dhe kam një nishan shumë të mirë.
Nuk kam ngrënë dhe nuk do ha kurrë bretkosa apo kukurec, sepse më duken shumë të shpifura duke ditur origjinën edhe pse mund të jenë shumë të shijshme.
Që e vogël fare, ikja fshehtas nga shtëpia me dëshirën për të eksploruar. Kam humbur disa herë dhe kam merakosur familjen.
Nuk besoj tek Ferri apo Parajsa por tek rimishërimi dhe jetët e mëparshme e të ardhshme./Panorama Plus