Humbi punën si velinë me një mesazh, Alesia Bami vishet nuse brenda natës dhe flet për plane të tjera
Alesia Bami njihej si velina 19-vjeçare e “Stop”, e cila prej dy netësh nuk shfaqet më në ekran, pasi u pushua nga puna për disa arsye që u bënë të ditura dje nga “Tv Klan”.
Krejt papritur në krah të Saimir Kodrës nuk u pa më Alesia si velinë, por një tjetër modele e balerinë, që quhet Gloria Meshi. Po cila është arsyeja që Alesia u largua nga ekrani i televizionit në fjalë? Si arsye fillestare, mediat e argumentuan me shfaqjen e saj në emisionin “Ftesë në 5”, që transmetohet nga televizioni konkurrent “Top Channel”.
Gjatë asaj interviste, e pyetur nga moderatorja e emisionit, se cila është ëndrra e saj për ta bërë realitet në të ardhmen, ajo u përgjigj duke qeshur: “Pas baletit, aktrimi ka qenë një ëndërr për mua! Më pëlqen kinematografia, që në vendin tonë nuk është shumë e zhvilluar, por mendoj që në qoftë se do jetë primare për mua, do iki!” Nga kjo intervistë, Alesia la të kuptohet se që t’i përkushtohet aktrimit.
Por, a ishte kjo arsyeja e vërtetë e pushimit të saj nga puna në fillm te sezonit televiziv? Për të dhënë një sqarim të qartë, Alesia ka reaguar me disa postime në “Instastory”, ku ka argumentuar arsyen e pushimit brenda ditës nga “Stop”.
Duke konfirmuar lajmin, ajo sqaroi se është e vërtetë ajo çfarë shkruajnë mediat dhe se e kanë larguar nga puna me një mesazh. “Të dashur miq! Ashtu siç e keni vënë re dhe ashtu siç kanë shkruar portalet, unë nuk jam më pjesë e emisionit ‘Stop’. Kjo për faktin e vetëm se dhashë një intervistë në ‘Top Channel’ dhe më larguan nga puna në mënyrë flagrante me një mesazh. Kjo tregon nivelin e atyre që janë punëdhënësit tanë dhe sa të mbrojtur nga ligji janë punonjësit e mediave, ku nuk respektohet asnjë kontratë pune, aq më pak Kodi i Punës. Sigurisht, që nuk jam as e para as e fundit. Jam e detyruar ta bëj këtë sqarim për gjithë publikun tim dhe gjithë ata që më kanë shkruar dhe suportuar pa fund. Së shpejti, do të shihemi në një projekt të ri”, shkruante Alesia në postimin e saj në “Instastory”.
Por ngacmuar nga kjo deklaratë e Alesias, burime nga “TV Klan” thanë për “Blitz”, se veç arsyes që përmendi Alesia në rrjetet sociale, shkak për heqjen e saj nga puna ishte mungesa e profesionalizmit: “Marrëdhënia ka nisur të kriset dhe të acarohet kohë më parë. Ajo e kishte mbushur kupën me sjelljen e saj aspak profesionale. Alesia nuk ishte korrekte me oraret dhe ka treguar mungesë respekti ndaj stafit të emisionit. Përveç kësaj, të dyja velinat duhej që për çdo dalje televizive të merrnin paraprakisht leje te dy drejtuesit e emisionit, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj”, citohet nga shkrimi i portalit në fjalë.
Por duket, se Alesia e ka mbledhur shpejt veten, duke bërë të tjera plane për veten. Brenda natës që nuk u shfaq në “Stop”, ajo postoi në “Instagram” foton e veshur si nuse me vello, ku paralajmëron plane të tjera dhe të mëdha për veten. Foton në fjalë e ka shoqëruar me statusin për veten “Një princeshe i duhet një kështjellë, jo një kasolle”.
Ndjekësit kanë vërshuar me komente duke e komplimentuar dhe duke e motivuar që të mos mërzitet për humbjen e punës, pasi ka shumë punë të tjera për të. Vitin e kaluar fotot e ditëlindjes së saj të 18-vjetorit luksoz bënë bujë në media, pasi, përveç prezencës me dhurata në duar të Saimir dhe Gentit, ra në sy dhurata e babait të saj, një makinë luksoze. Brenda një ambienti të errët, i ndriçuar vetëm nga ngjyra rozë, me temën “Diva’s Birthday”, Alesia mblodhi në festën e saj edhe disa nga figurat më të njohura të botës së televizionit.