Humbi jetën pas shoqërimit në polici, spitali i Traumës: E sollën pa puls
I riu në foto është 32-vjeçari Lear Kurti, i cili ndërroi jetë në ambientet e komisariatit nr.3 të Tiranës. Kurti ishte në rrugën “Riza Cuka” rreth orës 23:07 të mbrëmjes së të mërkurës kur policia i ka bërë thirrje për të ndaluar. Sapo i kërkuan të paraqiste dokumentet e identifikimit, Kurti ia mbathi me vrap. Pas arrestimit ai u dërgua në komisariatin numër 3. Sipas AMP-së, ai u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku gjeti vdekjen.
Mirëpo, të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore për Kurtin, nuk përputhen me qëndrimet e personelit të Urgjencës së Spitalit të Traumës. Kjo pasi Spitali i Traumës deklaron se i riu ka mbërritur i vdekur në spital.
Nuk dihet nëse i riu është dhunuar nga efektivët. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Mësohet se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të situatës. Aktualisht mësohet se janë duke u marrë në pyetje efektivët e patrullës që shoqëruan të riun si dhe të tjerët që kanë qenë të pranishëm në Komisariat mbrëmjen e 19 tetorit.