Humbi jetën nga kanceri i gjirit, mikesha e gazetares Rudina Dervishit: “Shpresonte në mrekulli deri në fund”
Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme e gazetares së VOA Rudina Dervishi ishte një tronditje për të gjithë ata që e njihnin. Ajo ndërroi jetë 53 vjeç pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit.
Sot mikesha e saj, stilistja Klodi Mengri, ndau për herë të parë kujtime me mikeshën e saj të ndjerë në “Ftesë në 5”.
Ato njiheshin prej 26 vitesh dhe ruanin një miqësi të ngushtë, vitet e fundit në distancë pasi Rudina ishte zhvendosur në SHBA për shkak të punës.
Shumë e prekur, Klodi kujtoi vizitën e fundit në Amerikë, një vizitë jo ashtu siç ato të dyja e kishin imagjinuar…
“Nuk e pranonte në asnjë mënyrë, nuk e pranonte vdekjen. Nuk donte ta pranonte. Unë isha aty në ato 10 ditë që ishte prezent se çfarë do të ndodhte. Të gjitha faktet shkencore thoshin që duhet ta pranonte, por ajo priste mrekulli, mrekullia mund të ndodhë gjithë kohës. Atë priste ajo, atë donte, atë kërkonte”, tha Klodi e cila tregoi se mikja e saj i kishte mësuar të ruante ekuilibrin në atë që ne e quajmë drama e jetës.
E pyetur nga Bieta për ndonjë pishman apo amanet të Rudinës, Klodi tha se meraku i saj i vetëm ishin 3 djemtë.